BERAT
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, finalizuan operacionin policor të koduar “Oil” duke arrestuar shtetasin Alush Agalliu, 56 vjeç dhe shpallur në kërkim djalin e tij, të dy banues në fshatin Tapi, Kuçovë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrimi me produktet ushqimore”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasit Alush Agalliu dhe D. A në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përshtatur në banesën e tyre një ambient ku përgatisnin përzjerje të vajrave të ndryshëm dhe produkteve të panjohura, më pas i reklamonin në faqen e Facebook “Vaj Ulliri Bio Jugu” dhe i shisnin si vaj ulliri bio.
Nga veprimet hetimore është dokumentuar ligjërisht fakti se autorët e dyshuar i përgatisnin keto produkte në banesen e tyre dhe me pas i tregtonin te shtetas të ndryshem në të gjithë vendin nëpërmjet një poste private.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 3000 litra lëndë vajore e papërcaktuar, 1000 litra, e dyshuar vaj kikiriku, një lap-top dhe printeri me të cilin printoheshin etiketat postare, 2 900 000 lekë dhe 1800 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e kundraligjshme.
Arrestimi erdhi pas publikimit të investigimit nga emisioni “Stop”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.