Në episodin e 11-të, të sezonit të 3-të, të podkastit ‘FLASIM’, “Çifti nga qyteti”, kryeministri Edi Rama na njohu me historinë e pabesueshme të një çifti, Fjonës dhe Fatmirit, që kanë zgjedhur të “vetemërohen” në fshatin Zhulat dhe kanë nisur të farkëtojnë kurajon, pasionin e vullnetin për të ngritur bujtina në pritje të turistëve të maleve.

Fatmiri rrëfen në bashkëbisedim me Ramën se si vendosën të kthehen në fshatin e tij të lindjes, në Zhulat pas përfundimit të studimeve në Tiranë së bashku me shoqen e tij, që sot është edhe bashkëshortja, pasi disa vitesh përvojë pune.

Për Fjonën, Zhulati ishte përshkruar si fshati më i bukur në botë nga Fatmiri. Por, kur mbërriti atje u përball me një shtëpi të vjetër, të mbuluar nga bari. Iu desh të ngrinin tendën dhe të flinin mbi tarracë, pasi shtëpia “ishte e frikshme të flije brenda”.

Ata vendosën ta pastronin, të investonin për ta bërë të banueshme dhe sot presin turistë që janë të apasionuar pas natyrës, maleve, pas udhëtimeve e që bëhen pjesë e jetesës së të zotit të bujtinës, duke u përfshirë në punë të shtëpisë, në kopsht, në kuzhinë.

Atyre sot iu janë dorëzuar çelësat e shtëpisë edhe nga shumë banorë të tjerë të fshatit Zhulat, banorë të cilët edhe ata migruan vite më parë drejt Gjirokastrës, Tiranës apo edhe shtegtuan jashtë. Sepse ata besojnë se shtëpinë e mban gjallë jetesa, njerëzit që jetojnë brenda.

I gjithë fshati ka rreth 100 shtëpi, të cilat kanë nevojë më tepër për vëmendje, sesa për ndërhyrje të mëdha.

Kryeministri Rama tha se nevojitet një projekt për ta prezantuar këtë fshat dhe se ata mund të gjejnë mbështetje për ta promovuar.

“Ka gjithmonë më shumë kërkesë për këtë lloj turizmi. Ka edhe anën tjetër që në atë zonë turizmi është 12-mujor. Besoj se diçka e bukur do të ndodhë me ju atje. Jam i bindur që Zhulatin do ta bëni një destinacion të njohur për të gjithë shumë shpejt”, tha Rama.

Kryeministri premtoi se do t’i vizitonte ata në Zhulat, si mbështetje për ata që po hapin shtigje të reja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: