Deputeti i PD Edi Paloka, i ftuar në emisionin Kjo Javë në News 24 tha se masat e sigurisë nga SPAK për Sali Berishën dhe Ilir Metën janë antikushtetuese dhe se gjithashtu dëmtojnë opozitën, pasi liderët opozitarë janë në burg.
Ai tha se edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi kërkesën e Berishës, se masa “detyrim paraqitje” ishte antikushtetuese është një tregues që vendi po rrëshqet drejt diktaturës. Paloka deklaroi se rruga që ka zgjedhur PD për daljen nga kriza dhe fitoren në zgjedhje është rregullimi i raporteve me ndërkombëtarët dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve shqiptarë.
Edi Paloka: SPAK duhet të merrte leje në Kuvend për masën ndaj Berishës. SPAK thotë që Berisha nuk ka të drejtë të dalë nga shtëpia, por mund të dalë jashtë vendit. Kjo është kontradiktore. Por, e justifikojnë se janë dy çështje të ndryshme. Berisha vendosi të mos zbatojë një vendim antikushtetues. Sali Berisha ka marrë vendimin e drejtë në atë rast.
Si Berisha dhe Meta mbahen me masa për të dëmtuar opozitën. Ervin Salianji në burg. Edhe Mediu kërcënohet shpesh herë me burgosje. Marrëdhënia jonë me ndërkombëtarët është rregulluar me dy rezolutat e miratuara nga CDI dhe PPE. Rruga e dytë është reagimi qytetar, protestat, lëvizjet. Nuk ka rrugë tjetër.
(Balkanweb)