Superiorja zhvilloi këtë pasdite dy ndeshje të vlefshme për javën e 14-të. Vllaznia triumfoi 2-1 ndaj Teutës, në takimin e mbajtur në “Loro Boriçi”.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, teksa pas 5 minuash lojë, portieri i durrsakëve shkakton penallti, por gjyqtari Xhaja e anulon pas një rishikimi me VAR.
Të besuarit e Brdaric shkuan në dhomat e zhveshjes në avantazh. Bajrami realizoi me kokë në të 45-tën, duke ndezur kështu festën e tifozërisë në shkallët e stadiumit.
Skuadra e Edi Martinit e nisi me shumë dëshirë pjesën e dytë dhe barazoi llogaritë në të 66-tën. Një goditje fantastike nga distanca e Naser, ishte e pamundur për t’u arritur nga “gardiani” vendas.
Vllaznia shënoi golin e dytë në minutën e 90-të me Grudën, duke marrë kështu 3 pikë të arta.
Me këtë rezultat, Vllaznia kryeson me 25 pikë ndërsa në sfidën e radhës do luajë në Ballsh ndaj Bylis.
Teuta është në vendin e gjashtë me 17 pikë, sakaq në sfidën e radhës gjen Dinamon.
Në Korçë, Skënderbeu barazoi 2-2 me Dinamon. Itodo shënoi për dinamovitët por vendasit përmbysën gjithçka me Çuçka dhe Rashica. Goli i Lorenco Vilës në pjesën e dytë “vulosi” shifrat në 2-2. Skënderbeu është në vendin e 8-të, ndërsa Dinamo është në vendin e 3-të.
(J.S/BalkanWeb)