Deputeti i PD Edi Paloka, në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News24 u pyet në lidhje me konsultimet e presidentit Bajram Begaj me partitë politike për datën e zgjedhjeve të vitit 2025. Paloka tha se presidenti Begaj e ka marrë udhëzimin nga kryeministri Edi Rama dhe e ka vendosur datën se kur do të mbahen zgjedhjet. Sipas Palokës, data e zgjedhjeve është gjëja e fundit që ka rëndësi, por më e rëndësishme është situata ku ndodhet vendi.

“Presidenti e ka marrë datën të caktuar nga Rama. Do ishte naivitet, duke e ditur ç’president kemi, që ky mund të konsultohej dhe të merrte mendim edhe nga partitë shqiptare. Begaj e ka treguar që është besnik i Ramës, që rri te cepi i kolltukut, si të jetë shërbëtori i fundit. Balla ka thënë se Rama ka bërë ftesë më datë 9 për europianët që të jenë në Shqipëri. E imagjinoni se do reflektohej ky takim në procesin e zgjedhjeve. Data është gjëja e fundit që duhet të na shqetësojë”, tha Paloka.

I pyetur për punën e SPAK, Paloka deklaroi se nuk e beson këtë institucion. Ai tha se nuk beson se SPAK do të arrestojë Ramën e Veliajn dhe shtoi se nëse Struktura e Posaçme vepron ndaj kryeministrit apo kryetarit të Bashkisë Tiranë, do kërkojë falje publike.

“SPAK është ish-Sigurimi i Shtetit në duart e Enverit. Mund të kërkoj falje, nëse Rama e Veliaj do të ishin të korruptuarit më të mëdhenj të këtij vendi përpara drejtësisë. As Rama e as Veliaj nuk do të jenë kurrë aty ku meritojnë të jenë. SPAK mbledh 10 hiça nga maxhoranca dhe merr krerët e opozitës nga ana tjetër. Rama në fillim të gjithë i ka mbrojtur njerëzit e tij, pastaj i ka lëshuar. Të gjithë i lëshon ai, përveç vetes së tij. Iluzioni për shpëtim nga ndërkombëtarët nuk duhet të jetë, ndryshimin e bëjnë shqiptarët”, deklaroi Paloka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb