Në emisionin “Kjo Javë” në News 24 ishte i ftuar Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Rebani Jaupi. Ai u pyet për faktin se emri i tij lakohet në Sky Ecc, në kuadër të dosjes “Metamorfoza”. Jaupi tha se emri i tij përmendet në Sky Ecc nga persona të tretë. Sipas tij, Shqipëria është një vend i vogël ku njerëzit njihen me njëri-tjetrin. Jaupi shtoi se asnjëherë nuk ka pasur biseda në jetën e tij me ndonjë person të botës së krimit, përveç se me kolegë, me të cilët ka punuar.
“S’mund të them se nuk ka lidhje mes policisë dhe krimit. Kjo ndodh edhe në vende të zhvilluara. Grupet kriminale duan të kenë një zë të tyrin në polici. Kur ka pasur raste bashkëpunimi mes policisë dhe krimit, ne kemi marrë masa. Bashkëpunëtorët me krimin në polici duhet të dalin para drejtësisë. Në polici vazhdon vettingu. Kushdo që ka bashkëpunuar me krimin, një ditë do dalë përpara drejtësisë. Kur më përmendet emri në Sky Ecc, shqetësohem. E them me përgjegjësinë time morale që nuk kam pasur në jetën time asnjë telefon Encro Chat. Kam bërë punën time me përgjegjësi. Nuk kam pasur asnjë bisedë me asnjë person të botës së krimit. Natyrisht, që njerëzit mund të bisedojnë me të tretët, jemi vend i vogël, njihemi të gjithë me njëri-tjetrit, por kurrë nuk kam komunikuar me njerëz të botës së krimit. Edhe në SPAK dhashë të gjitha sqarimet”, tha Jaupi.
Rebani Jaupi, kryepolici që drejtoi Policinë e Tiranës gjatë periudhës maj 2019 deri në tetor 2021 dhe njeriu që hartoi në vitin 2020 planin për goditjen e lojërave të fatit, është pyetur në SPAK, lidhur me bisedat që ka zhvilluar biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe ish-shefi i komisariatit Nr.2 , Oltian Bistri.
Oltion Bistri bisedon në atë kohë në Sky Ecc me Pëllumb Gjokën, duke i treguar këtij të fundit që të bëjë kujdes dhe të fikë telefonat pasi mund të ketë veprime nga ana policisë. Në këtë bisedë përmendet edhe emri i Jaupit. “…tani do filloj për pak, ik futu gjëkundi se si dihet, mos rri në qarkullim e fike telefonin. Po kot mo si dihet. Se di. Akoma s’na i kanë sjellë emrat dhe vendet. Drejtori tha, do e heq pikën nga lista. Jo. E din Rebua vetë, s’ka nevojë…”, thuhej në mesazh.
(balkanWeb)