Partizani mbylli dje përgatitjet për rikthimin në fushë pas pauzës së Kombëtareve. Në program është ndeshja me Laçin, e planifikuar sot në orën 17:00 në stadiumin “Arena e Demave”.

Trajneri Aleksandar Veselinoviç ka punuar me hollësi manovrën e skuadrës së tij dhe të kundërshtarit, dhe duke llogaritur edhe dëmtimet, pritet që sot t’i vërë “vulën” planit për sfidën me kurbinasit. Dëmtimet vijojnë “të gërryejnë” të kuqtë. Para kësaj sfide, mungesë e sigurt është Adnard Mehmeti, i cili ka pësuar një tërheqje muskulore dhe pritet të mos jetë i gatshëm.

Synimi i tij është rikthimi në derbi, mision që gjithashtu mbetet i vështirë. Probleme fizike kanë pasur edhe tre lojtarë të tjerë, të cilët në ditët e fundit janë stërvitur me grupin dhe gjasat janë që të jenë në fushë të dielën. Fjala është për Carën, Bytyçin dhe Ismailin. Të tre kanë probleme muskulore dhe do të duhet të shtrëngojnë dhëmbët në këtë sfidë. Stërvitja e sotme është vendimtare për ta.

Nisur nga mungesat, priten ndryshime në 11-she. Së fundmi mësohet se edhe Sembene ka vuajtur ngarkesat e nisjes intensive të sezonit dhe pritet që këtë sfidë ta nisë nga stoli. Alternativat për të janë 2- 3, por Domgjoni shihet më i avantazhuari. Hadroj pritet të rikthehet titullar, teksa edhe Bytyçi është gati.

Në mesfushë Ismaili me gjasa do të jetë gati, por nëse nuk ia del, luan Taipi. Kote dhe Rrapaj plotësojnë repartin. Në sulm ka dyshime për Carën, që mund të zëvendësohet nga Keko. Mba dhe Zeka priten titullarë, teksa Bintsuka, i kthyer të enjten, pritet të startojë nga pankina.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: