Ushtria izraelite ka urdhëruar evakuimin e banorëve në periferi të qytetit të Gazës, duke shkaktuar një vale të re zhvendosjeje të dielën, njoftuan autoritetet palestineze. Zyrtarë shtuan se drejtori i spitalit të Gazës u plagos në një sulm izraelit me dron.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ndau në rrjetin X udhërin për evakuim, ndërsa fajësoi militantët palestinezë për këtë vendim, që sipas ushtrisë kanë kryer sulme me raketa nga zona në fjalë, në veri të Rripit të Gazës.

“Për sigurinë tuaj, duhet të evakuoheni menjëherë në jug”, thuhej në postimin e ushtrisë izraelite. Sulmet me një seri raketash të shtunën u morën përsipër nga krahu i armatosur i Hamasit, i cili tha se kishte patur si objektiv një bazë të ushtrisë izraelite.

Në pamjet e transmetuara në mediat palestineze, të cilat agjencia Reuters nuk mund t’i konfirmojë në mënyrë të pavaruar, dukeshin banorët që largoheshin nga zona Shejaia, mes tyre edhe fëmijë, duke ecur në këmbë, me çanta në shpinë.

Familjet që jetojnë në këto zona filluan të largoheshin nga shtëpitë e tyre pasi ra nata të shtunën dhe në orët e para të së dielës, thanë banorët dhe mediat palestineze. Kjo është vala e fundit të zhvendosjes, mes shumë të tillash që kur nisi lufta 13 muaj më parë.

Zyrtarët e shëndetësisë thanë se të paktën 10 palestinezë u vranë nga sulmet izraelite në dy kapmet Al-Maghazi dhe Al-Bureij gjatë sulmeve të së shtunës.

Banorët e Gazës po përballen gjithashtu me shira të rrëmbyeshëm që kanë përmbytur qindra tenda në të gjithë rajonin, duke dëmtuar ushqimin e tyre dhe ato pak veshje që kishin mundur të merrnin me vete.

Autoritet e emergjecave civile palestineze thanë se mijëra të zhvendosur ishin prekur nga përmbytjet sezonale dhe kërkuan tenda të reja dhe ndihma të tjera për banorët.

Ndëkohe Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit European, Josep Borrel, bëri thirrje të dielën gjatë një vizite në Bejrut për më shumë trysni ndaj qeverisë izraelite dhe grupit Hezbollah për të pranuar propozimin për armëpushim të ofruar nga Shtetet e Bashkuara.

Një sulm izraelit në rajonin Baalbek në Liban la të vrarë 17 vetë, mes tyre një nënë dhe 4 fëmijët e saj, sipas të dhënave të Ministrisë së Shendëtësisë së Libanit.

Këto të dhëna nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb