Një operacion i madh me urdhër të SPAK po zhvillohet në Elbasan prej mbrëmjes së djeshme. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se janë ekzekutuar disa urdhra arresti të GJKKO.
Burime për News24 bëjnë me dije se janë ushtruar kontrolle në disa biznese të mëdha në Elbasan, si dhe në banesat e familjarëve të personave të implikuar në ngjarje të mëdha kriminale.
Kontrolle janë zhvilluar dhe në banesat e ish-gjyqtarëve Zihni Shahu e Taulant Tafa. Masë arresti shtëpiak është dhënë edhe për Blerina Beqirin, avokate e grupit të Suel Çelës.
Emrat e ish-gjyqtarëve dhe avokates dalin në SkyEcc, në përpjekje për të zbutur pozitën e një anëtari të grupit të Suel Çelës.
Në një moment shprehen “nuk dëgjon Tomi” për gjyqtarin e Elbasanit, Tomorr Kullolli, të cilin më pas e përjashtojnë nga trupa gjyqësore.
Lala raportoi se ka kontrolle dhe në banesa ish-prokurorësh në Elbasan.
Masat vijnë në kuadër të hetimeve për dosjen “Çopja” dhe zbërthimit të bisedave në aplikacionet e koduara SkyEcc EncroChat.
(BalkanWeb)