Në operacionin e fundit të zhvilluar me urdhër të SPAK, është caktuar masë sigurie “detyrim paraqitje” edhe ndaj gazetarëve, Artan Hoxha dhe Elton Qyno. Gazetarja Klodiana Lala, në studion e emisionit ‘Open’ në News24, ka kërkuar nga SPAK të bëjë transparencë për dyshimet ndaj kolegëve.

“Ne gazetarët i njohim Artan Hoxhën dhe Elton Qynon. Hoxha ka një karrierë 30-vjeçare, patjetër që duke qenë kolegë gazetarë ndihem jo mirë. E dimë që një goditje në misionin e gazetarëve është një goditje për shumë ne. Nëse do kishte ndalim mase ndaj një gazetari, ka interes të shtuar. SPAK nuk na ka bërë me dije se cilat janë të dhënat apo dyshimet që SPAK ka ndaj dy kolegëve.

Ata kanë mbuluar ndër vite kronikën e zezë dhe patjetër që një gazetar ka kontaktet dhe burimet e tij dhe SPAK duhet të më dëshmojë mua të parë në kuptimin si një profesioniste në këtë fushë, se cila është lidhja konkrete dhe në këtë aspekt të jem më e kujdesshme për shkak të punës dhe mënyrës sesi bëhet lidhja e tyre me këtë organizatë kriminale.

Ne jemi këtu, do t’i shohim hap pas hapi. SPAK duhet të na dëshmojë me një kujdes të jashtëzakonshëm. Ata duan kohën e tyre për të bërë një reagim në lidhje me akuzat. SPAK ka detyrimin të bëjë transparencë dyshimet ndaj kolegëve.

Të dhënat e përfituara nga SkyEcc nuk qëndrojnë të vetme, por kryqëzohen. Jo gjithçka vjen nga SkyEcc. Shërbejnë si indicie, por duhen shoqëruar me prova të tjera, që të shkojë në gjykatë dhe të kërkohet masë sigurie”, tha Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb