Ndërsa luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut janë ashpërsuar, ku ditën e hënë janë vrarë nga sulmet e ushtrisë izraelite të paktën 31 persona. Benjamin Netanyahu është në presion nga IDF dhe opozita për të arritur një marrëveshje armëpushimi me Hezbollahun në Liban.
Ushtria ka arritur qëllimet e saj për të shkatërruar infrastrukturën e Hezbollahut përgjatë kufirit dhe për të eliminuar mundësinë e një sulmi në veri të Izraelit duke larguar Hezbollahun, duke reduktuar në mënyrë dramatike arsenalin e tij të raketave, i është bërë me dije kryeministrit të Izraelit. Por, nëse përpjekjet për të arritur një armëpushim dështojnë, thotë Channel 12, IDF planifikon të zgjerojë operacionet e tyre në Liban.
Sulmet e përgjakshme të së hënës iu paraprinë nga një sulm tjetër tragjik i ditës së shtunë, ku mbeten të vrarë 29 persona, përfshirë dhe fëmijë.
Autoritetet izraelite nuk i kanë komentuar sulmet. Izraeli thotë se ka në shënjestër grupin e armatosur libanez Hezbollah dhe se lëshon paralajmërime evakuimi për civilët për të minimizuar rreziqet për ta përpara bombardimeve. Por, agjencia e lajmeve Reuters bën me dije se Izraeli nuk bëri ndonjë paralajmërim evakuimi përpara sulmit në Basta të Libanit.
Sakaq, burime konfidenciale për CNN bëjnë me dije se kabineti izraelit do të votojë për një marrëveshje armëpushimi në Liban të martën. Reagimi vjen pas lajmeve se Benjamin Netanyahu ka rënë në parim dakord për një armëpushim me Hezbollahun. Izraeli ka ende rezerva për disa detaje të marrëveshjes, të cilat pritej t’i transmetoheshin qeverisë libaneze të hënën.
(BalkanWeb)