Në momentin më të rëndësishëm, kur emri i tij ka “pushtuar” mediat italiane, i kërkuar thuajse nga të gjithë ekipet e mëdha në Serie A, Ardian Ismajli zhvilloi një tjetër ndeshje të madhe në aspektin personal. Ndaj Udineses, Empoli doli me një pikë pas barazimit 1-1, kjo fal edhe qendërmbrojtësit kuqezi i cili në përfundim u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes. Ismajli mori edhe elozhet e mediave:
“Në zemër të mbrojtjes shfaqet si një lider i heshtur, por efikas. Aftësia e tij për të lexuar aksionet e rrezikshme i jep skuadrës ekuilibrin e duhur defensivë. Administron me autoritet repartin”, nota 7 për Ismajlin shkruan TuttomercatoWeb.
Një ndeshje pozitive zhvilloi edhe legjionari tjetër kuqezi Ylber Ramadani. Lecce e tij doli me tre pikë të rëndësishme nga transferta përballë Venezia-s fal suksesit 0-1. Si gjithnjë, Ramadani zbriti në fushë si titullar dhe qëndroi deri në minutën e 84-ët:
“Punë e shkëlqyer në ndryshimin e regjisë. Pavarësisht se Venezia krijoi më shumë raste se Lecce, verdhekuqtë rezistuan edhe fal paraqitjes së numrin 20. U tregua i zoti në të dy fazat deri në momentin kur u zëvendësua”, nota 6,5 për Ramadanin.
(BalkanWeb)