Sulmet izraelite në periferitë jugore të Bejrutit, një vatër e lëvizjes pro iraniane Hezbollah, u intensifikuan dje pasdite, ndërsa një marrëveshje e mundshme armëpushimi midis Izraelit dhe militantëve duket se po afrohet.

Sulmet ndaj Ghobeiry, Haret Hreik dhe Tayyouneh erdhën pas paralajmërimeve të evakuimit të lëshuara nga ushtria izraelite.

Videot treguan një ndërtesë të paktën tetëkatëshe të rrafshuar me tokën në Tayyouneh.

Shpërthimi i fuqishëm u dëgjua në të gjithë qytetin.

”Një shtëpi u godit në Choueifat, një zonë jashtë bastionit të Hezbollahut, pa paralajmërim paraprak”, thanë burimet libaneze të sigurisë.

Ushtria izraelite tha se kreu sulme në afërsisht “25 objektiva terroriste që i përkisnin Këshillit Ekzekutiv të Hezbollahut në Liban, duke përfshirë në Nabatieh, Baalbek, Luginën Beqaa, Dahieh dhe periferi të Bejrutit”.

Sipas raportimeve të medias izraelite, kabineti izraelit do të miratojë një marrëveshje për një armëpushim me Hezbollahun sot në mbrëmje.

”Teksti i kësaj marrëveshjeje për t’i dhënë fund më shumë se një viti armiqësish është negociuar plotësisht”, raportoi ajo.

Zyrtarët e qeverisë libaneze në Bejrut janë shprehur optimist, por theksuan se vendimi tani i takon Izraelit.

Një draft i tanishëm armëpushimi midis Hezbollahut dhe Izraelit parashikon zbatimin e plotë të marrëveshjes për të cilën është rënë dakord në fund të luftës së mëparshme midis Izraelit dhe Hezbollahut në vitin 2006.

Prandaj, ushtria libaneze do të vendoset në zonën kufitare me Izraelin për të parandaluar kthimin e luftëtarëve të Hezbollahut.

Hezbollahu ka vënë në shënjestër Izraelin verior me raketa dhe dronë për më shumë se një vit në shenjë mbështetjeje për grupin militant palestinez aleat Hamas në Rripin e Gazës.

Izraeli fillimisht iu përgjigj bombardimeve nga Hezbollahu me kundërsulme, por që nga shtatori ka nisur sulme masive ajrore në vend dhe një ofensivë tokësore në Libanin jugor.

Ndërkohë, forcat paqeruajtëse të OKB-së në Liban denoncuan sulmet e Izraelit ndaj ushtrisë libaneze gjatë luftës së saj me Hezbollahun.

Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL) tha se 45 ushtarë të ushtrisë libaneze janë vrarë deri më tani në sulmet izraelite ndaj objektivave në Liban.

“UNIFIL është seriozisht i shqetësuar nga sulmet e shumta ndaj Forcave të Armatosura Libaneze brenda territoreve libaneze, pavarësisht mospërfshirjes së tyre të deklaruar në armiqësitë e vazhdueshme midis Hezbollahut dhe Izraelit”, thuhet në një deklaratë.

”Sulmet e tilla përbëjnë një shkelje flagrante” të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, tha UNIFIL.

Ushtria libaneze nuk është një palë aktive në luftën midis Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: