Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda së bashku me përfaqësues të Guardia Di Finanza kanë dalë sot në një konferencë të përbashkët lidhur me monitorimin nga ajri të territorit në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Sipas të dhënave të publikuara nga maji 2024 janë kryer 62 misione fluturimi nga Guardia di Finanza dhe janë asgjësuar 191 mijë bimë narkotike.
Në fjalën e tij, kryepolici Proda tha se vihet re tendenca për të kultivuar bimë narkotike në ambiente të mbyllura, të njohura si shtëpitë e barit.
“Në total, për vitin 2024 Policia e Shtetit ka kryer gjithsej 216, 280 kontrolle dhe janë kryer 341, 520 orë shërbimi. Është intensifikuar kontrolli i territorit përmes përdorimit të dronëve. Në kuadër të monitorimin ajror të territorit, këtë vit janë kryer 185 orë fluturime. Gjatëq vitit 2024 u pasurua harta dixhitale e krijuar më parë me të dhënat më të fundit për tokat, zona pyjore etj. ku kultivoheshin bimë narkotike ndër vite ose mund të kultivoheshin potencialisht gjatë vitit 2024.
Për vitin 2024 janë referuar dhe janë ndjekur 119 procedime pro aktive me metoda speciale të hetimit kundër kultivimit të bimëve narkotike. Janë evidentuar 35 raste sekuestrimi të farave kanabis sativa, janë sekuestruar 45,351 fara nga 8 raste me 16,712 fara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një ndër objektivat e vendosur që në fillim të vitit 2024 ka qenë parandalimi dhe goditja e tendencës së shfaqur kohët e fundit e kultivimit të bimëve narkotike në objekte të mbyllura, shtëpi bari, të përshtatura nëpërmjet instalimit të implanteve të posaçme elektrike dhe të ajrimit.
Gjatë këtij viti u bë e mundur evidentimi i 2 rasteve që në fazën e krijimit të ambienteve me llampa dhe goditja e 5 rasteve të kultivimit në ambiente të mbyllura.
Gjatë goditjes së tyre janë gjetur dhe asgjësuar 381 bimë narkotike dhe 3040 fidanë në kubikë të kësaj bime. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 29 shtetas të implikuar, nga të cilët 18 autorë kultivimi, 9 punonjës të OSHEE, 1 kryetar fshati të proceduar për shpërdorim detyre dhe 1 qytetar për veprën e moskallëzimit të krimit”, tha ndër të tjera Ilir Proda.
Duke folur me shifra, shefi i Repartit III të Operacioneve të Komandës së Përgjithshme të GdF, Gjeneral Brigade, Luigi Vinciguerra, tha se gjatë vitit 2024 sipërfaqja e monitoruar ka qenë 48.8% e territorit shqiptar, ndaj 42.9% që është realizuar vitin e kaluar.
“Rritja e monitorimit të misionit në 2024, kemi kaluar nga 152 në 185 orë nga 2022 në 2024”- tha Vinciguerra.
Përfaqësuesi i Guardia Di Finanza tha se gjatë vitit 2024 janë zbuluar 109104 bimë narkotike, shifër kjo më e lartë se vitin e kaluar.
“Falë gjithë pajisjeve teknologjike, kanë bërë të arrihen këto rezultate. Misionet e fluturimit janë kryer nga personeli GDF në mënyrë autonome.
Rezultatet e vitit 2024, nëse do të fokusohemi me vëmendje tek dy vitet fundit, në 2023 kemi bërë 64 misione dhe kemi asgjësuar 108,282 bimë
Fushata e këtij viti, ka dy misione më pak, pra 62, por janë identifikuar më shumë bimë 109,104 bimë narkotike është nënvizuar një efikasitet më i madh. Rezultati bëhet më i rëndësishme, nëse llogarisin rritjen e sipërfaqes së monitoruar”- tha Vincinguerra.
Vincinguerra theksoi se tendenca e kultivimit të bimëve narkotike janë zonat veriore, ndërsa shtoi se ka një numër më të pakët të plantacioneve, por një përqendrim më të lartë të bimëve narkotike.
“Tendenca e viteve të fundit, organizatat kriminale të ndryshme kanë preferuar zonën e veriut. Tendenca ndaj kultivimit të kanabisit në zona të thella për t’u mbërritur ashtu sikurse u’a thash në zonën veriore të vendit. Ka një rritje të numrit të bimëve gjetura dhe të asgjësuar, por edhe një numër më të pakët të plantacioneve të përcaktuar, 1787 plantacione 2023, në 2024 janë evidentuar 595 parcela.
Ka një tendencë të re të organizatave kriminale, të cilat përdorin parcela më të vogla që janë më pak të gjetëshme, por më të dendura. Më pak hapësirë në dispozicion për kultivim por, mbjellje të bimëve në mënyrë më të ngjeshur. Është përqendruar kultivimi në vende më të vështira në sipërfaqe të thella malore”- tha Vincinguerra.
Sipas përfaqësuesit të Guardia Di Finanzza këto rezultate janë rezultat i punës së të gjithë aktorëve institucionalë në fushatën e monitorimit nga ajri, me qëllim për të goditur këtë aktivitet kriminal.