Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, bashkë me drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe përfaqësues të Guardia Di Finanza dolën sot në një konferencë të përbashkët, lidhur me monitorimin nga ajri të territorit në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Ministri Hoxha tha se bashkëpunimi me autoritetet italiane e ka bërë më efikase këtë luftë, duke e kthyer në një prioritet kombëtar, për të gjitha institucionet ligjzbatuese, por edhe qeverinë.
“Nisur nga perspektiva e rezultateve të arritura deri më tani është kënaqësi të marrë fjalën dhe të përshëndes në këtë konferencë ku janë analizuar të gjitha të dhënat për kultivimin e kanabisit gjatë vitit 2024. Kur përfaqësuesit e policisë italianë dhe ambasadori folën, unë mbajta disa shënime: Kemi një bilanc prej 12 vitesh punë, 185 orë fluturimi, 62 operacione, 216 mijë kontrolle dhe mbi 350 mijë orë pune të punonjësve të policisë gjatë këtyre operacioneve. Kjo çështje mbetet një prioritet kombëtar, por rezultatet e arritura këtë vit tregojnë përkushtimin e strukturave asaj italiane dhe asaj shqiptare, po ashtu edhe komunitetit prezent në Shqipëri jo vetëm në bashkëpunimin mes dy policive, por edhe në fusha të tjera me partnerët tanë italianë, ku unë gjej rastin t’i falënderoj për punën dhe përkushtimin e tyre”, tha Hoxha.
Ministri i Brendshëm shtoi se rruga në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike mbetet plot sfida, por përkushtimi i policisë, ministrisë dhe gjithë institucioneve të tjera në vend mbetet i palëkundur.
“Shkolla e magjistratëve, drejtimi i EU4LEA për të disatën herë nga drejtues italianë që kanë qenë të pranishëm në vazhdimësi në ngritjen e kapaciteteve të policisë shqiptare, janë të gjithë tregues të bashkëpunimit të mirë. Rruga përpara është me pengesa që duhet të kalojmë dhe kjo kërkon përkushtim të madh dhe solid. Sfidat mbeten reale, por përkushtimi ynë është i palëkundur.
Në mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe nën drejtimin e policisë italiane jam i bindur që do të performojmë sa më mirë në luftën kundër parandalimit të krimit dhe luftës kundër kanabisit. Për një Shqipëri të pastër nga kanabisi, ku siguria dhe rendi të jenë standardet tona të përbashkëta”, tha ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.