Një histori e rrallë dhe mjaft emocionuese ishte ajo ndodhi këtë javë në Institutin e Ekzekutimit të Veprave Penale në Bradashesh të Elbasanit. Një i paraburgosur, nga malli për dy fëmijët e tij të mitur dhe familjen pasi prej shumë muajsh ndodhet i izoluar në qeli për shkak të problemeve me ligjin u kishte kërkuar autoriteteve që t’i jepnin mundësinë atij t’i festonte aty ditëlindjen djalit që mbushte 7 vjeç.

Në përputhje me ligjin, me leje të titullarit të institucionit, atij i është mundësuar organizimi i ditëlindjes së djalit të tij 7 vjeç në ambient të hapur brenda IEVP, Bradashesh. Ky organizim i rrallë festiv për ditëlindjen e djalit të mitur të të paraburgosurit 50-vjeçar që ndodhet aty prej afro një viti e gjysmë, vlerësohet si një stimul i nevojshëm për të dhe për çdo të dënuar që manifeston sjellje korrekte dhe që ndjek programet e rehabilitimit dhe riedukimit. Një ditë si kjo e festimit të ditëlindjes së të miturit brenda ambienteve të Paraburgimit, aty ku babai i tij kishte këmbëngulur të bëhej, në pamje të parë duket e pazakontë, por ajo merr vlera për mesazhin që jep dhe tregon se sa rëndësi ka të jesh korrekt me ligjin dhe se ngjarjet më të bukura të jetës duhen shijuar në liri.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Torta, Kartolina e Urimit dhe dhuratat e bëra nga i ati e kanë surprizuar 7-vjeçarin i cili duke fikur qirinjtë ka shprehur dëshirën e madhe të tij që i ati të rifitojë lirinë e t’i bashkohet familjes. 50-vjeçari i përlotur iu ka premtuar fëmijëve dhe bashkëshortes se ddo të jetë në ardhmen shembull pozitiv në çdo aspekt.

Ai ndodhet i ndaluar prej 2 Korrikut 2023 dhe i akuzuar për prodhim dhe shitje narkotikësh. 50-vjeçarit iu mundësua t’i festonte ditëlindjen të birit 7 vjeç në ambientin e Paraburgimit nisur nga vlerësimi pozitiv dhe sjellja shembullore nga Sektori i Çështjeve Shoqërore dhe stafi i IEVP Elbasan.

Kjo ditëlindje kaq e veçantë e organizuar në oborrin e Paraburgimit të Bradasheshit në Elbasan është cilësuar si një ngjarje e rrallë dhe është përjetuar me emocione jo vetëm nga 50-vjeçari i paraburgosur, por edhe nga stafi dhe drejtuesit e IEVP.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb