Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka vijuar hetimet lidhur me protestën e zhvilluar dje nga opozita në disa akse rrugore të kryeqytetit.
Policia ka arrestuar disa persona dhe ka proceduar të tjerë për veprime të ndryshme penale.
Në flagrancë u arrestuan shtetasit S. N., banues në Tiranë, dhe I. H., 53 vjeç, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. I. H. gjithashtu u procedua për “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi ka bllokuar një automjet dhe ka goditur drejtuesin e tij.
Po ashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi Ervin Minarolli, sekretar në Partinë Demokratike, për “Organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Ndërsa deputetët Flamur Noka, Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi, Luan Baçi, Bledion Nallbati, Lefter Gështenja, Saimir Korreshi, Asllan Dogjani, Albana Vokshi, Petrit Vasili, Petrit Doda, Isuf Çela, Andia Ulliri, Greta Bardeli dhe Lindita Metaliaj u proceduan për “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi i tubimeve të paligjshme”, dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Gjithashtu, 64 shtetas të tjerë janë proceduar për mosbindje ndaj urdhrave të policisë dhe për prishje të rendit publik.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me protestën e zhvilluar më datë 26.11.2024, në disa akse rrugore në Tiranë, ka vijuar veprimet hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shoqërimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që kanë organizuar tubimet, kryer veprime kundërshtuese dhe të dhunshme, që kanë penguar lëvizjen e automjeteve dhe bllokuar akset rrugore.
U arrestua në flagrancë shtetasi S. N., banues në Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
U arrestua në flagrancë shtetasi I. H., 53 vjeç, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”. Ky shtetas, me veprime të dhunshme ka bllokuar lëvizjen e një automjeti tip “Benz”, duke bllokuar rrugën, dhe ka goditur drejtuesin e mjetit shtetasin A. G. Drejtuesi i mjetit u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
U procedua në gjendje të lirë shtetasi E. M., banues në Tiranë, me detyrë Sekretar për Organizimin dhe Burimet Njerëzore pranjë subjektit politik Partia Demokratike, për veprëm penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
U proceduan shtetasit F. N., (deputet) për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, dhe G. B., O. B., L. B., B. N., L. G., S. K., P. V., A. D., A. V., O. B., P. D., I. C., A. U., G. B., L. M., dhe L. B., (deputetë) për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”.
Gjithashtu u proceduan penalisht 64 shtetas për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Materialet i kaluan Prokurorisë.