Kryeministri Edi Rama mori pjesë në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për çështjet dhe sfidat e lidhura me Pronën, në kuadrin e negociatave të anëtarësimit në BE.

Kreu i qeverisë tha në fjalën e tij se “komisioni antikorrupsion do të jetë i përhershëm dhe do të jetë pikë referimi për të gjitha institucionet”.

Kryeministri theksoi se pavarësisht akuzave ndaj këtij komisioni, ai do të jetë një instrument i pazëvendësueshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Në momentin që komisioni do të jetë permanent në Kuvend dhe pikë referimi për institucionet dhe për të treja pushtetet, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Ky komision është instrument i pazëvendësueshëm për procesin e anëtarësimit dhe negociatave, sepse atje shkojmë si front institucionesh që përfaqësojmë. Është dhe një proces i pashmangshëm teknik që nuk mund të përballohet me burimet e brendshme të qeverisë. Sepse ekspertët u angazhuan u bënë edhe target i gjithfarëlloj akuzave dhe insinuatave dhe goditjeve nëpër këto kanalet dhe rrjetet e ndryshme thashethemnajës publike që në këndvështrimin gabimisht quhet liri e fjalës. Thënë të gjitha këto dua të nënvizoj 3 gjëra: e para, lidhur me këtë proces. Ky komision është sot në kushtet që flasim një instrument i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për suksesin tonë për në BE. Nuk shkojmë si qeveri e Shqipërisë por si një front institucionesh. Që përfaqësojnë 3 pushtete, të cilat në marrëdhënie me njëri tjetrin që kanë hapësira ndërveprimi, por edhe kufij”, tha kryeministri.

Në rend të ditës të punimeve në Komision është tryeza e nëntë publike me temë: “Garantimi i së drejtës së pronës dhe lufta kundër korrupsionit në sektorin e pronave”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb