Tedi Cara është një nga lojtarët, të cilit i skadon kontrata në verën e 2025-ës, por kavajasi mund të largohet që në fund të këtij viti.

Sulmuesi është një nga investimet e shumta të bëra nga Partizani në blerjen e lojtarëve dhe në klubin e kuq janë të hapur për oferta në janar, qoftë edhe me një çmim jo të kripur për shkak të skadencës së afërt të kontratës.

24-vjeçari është titullar te të kuqtë prej më shumë se tre sezonesh dhe me kontributin e tij ka arritur të shndërrohet edhe në golashënuesin më të mirë të dekadës te Partizani. Megjithëse është një nga lojtarët kryesorë të ekipit, në klub do të ishin gati të hiqnin dorë nga kapiteni në funksion të filozofisë vetëfinancuese që Partizani po përpiqet të ndjekë.

Kështu pas Andi Hadrojt një tjetër lojtar me peshë pritet të largohet nga nënkampionët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb