Ilir Xhemalaj, Kryetar i Sindikatës së Operatorëve Telefonikë ishte sot në “Koha për t’u zgjuar” në News24 për të folur për të drejtat në punë.
Xhemalaj tha se është krijuar dhe një lëvizje politike, e vetmja lëvizje që përkrah punonjësit shqiptar në çdo sektor.
“Vizioni ynë është ai që drejtësia sociale, mirëqënia sociale ecën në një hap me zhvillimin ekonomik. Është një parti që lind nga lëvizja sindikale. Kemi një vizion të qartë për të ardhmen. Duam që puna e ndershme të shpërblehet në mënyrë të drejtë. Ne duam të rrisim fëmijët tanë këtu.
Për ne duhet një luftë ndaj korrupsionit dhe dënimi për këtë vepër penale të jetë më i rëndi. Marjus Malaj është kryetari i zgjedhur”, tha Xhemalaj.
Duke folur për Kodin e Punës, ai tha se ditët e lejes vjetore janë bërë 22 ditë pune. “Ditët festive në qoftë se ju jeni në punë duhet të paguheni më shumë, një pagesë prej 150%. Një ditë pushim një javë para ose pas ditës së festive të paguar.
Punonjësi në radhë të parë duhet t’i drejtohet sindikatës. Në rast se nuk jeni në sindikatë, duhet t’i drejtoheni burimeve njerëzore dhe të kërkoni të drjetën. Në rast se nuk arrihet me burimet njerëzore, atëherë t’i drejtoheni Inspektoratit të Punës.
E para njëherë duhet të hiqet frika. Nuk duhet të kesh frikë për të drejtat e tua. Ne shikojmë që njerëzit kanë frikë dhe nuk kërkojnë të drejtat e tyre”, tha Xhemalaj.
Sipas tij, Inspektorati i Punës ka të drejtë të ruajë anonimatin. “Nëse denoncon Ilir Xhemali, atëherë nuk e nxjerr emrin e denoncuesit. Ndonjëherë njerëzit mësohen në comfort zonë dhe nuk lëvizin. Sot vetëm në Tiranë janë 5 mijë vende pune të lira. Nuk duhet të keni frikë, duhet të kërkoni të drejtën tuaj. T’i drejtoheni Inspektoratit të Punës.
Ndryshimet e Kodit të punës kaluan në Kuvend pa u konsultuar me sindidkatat, me shoqërinë civile. Kodi i punës specifikon që 1 ditë në javë është pushim. Në rast se punon dhe ditën e pushimit, punëdhënësi duhet t’ia paguajë më shumë”, tha ai.
Xhemalaj sugjeroi më tej se në radhë të parë në një marrëdhënie pune duhet të lexohet kontrata dhe duhet të merret një kopje kontrate, është detyrim i punëdhënësit.