Këshilltari për çështjet ekonomike të PD, Dorjan Teliti ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen e Shqipërisë 112 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, duke thënë se “kjo nuk është Shqipëria që do donin baballarët e Pavarësisë”.

Ai thekson se Shqipëria e sotme është e shkatërruar nga korrupsioni, varfëria, dhe persekutimet politike.

Teliti kritikoi mungesën e zhvillimit në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, dhe largimin e rinisë, ndërsa akuzon një grusht njerëzish që po shkatërrojnë vendin.

Ai apeloi për ndryshim, duke thënë se shqiptarët ia detyrojnë këtë brezave të sotëm dhe atyre që sakrifikuan për lirinë.

Reagimi i plotë:

KJO NUK ËSHTË SHQIPËRIA QË DO DONIN BABALLARËT E PAVARËSISË!
Prej 112 vitesh jemi të pavarur falë mundit të disa burrave atdhedashës që lanë cdo gjë pas dore, me të vetmin qëllim, ta bënin Shqipërinë e pavarur dhe të zhvilluar.
Po ku jemi sot? Ku jemi pas 112 vitesh?
Shqipëria 2024 është Shqipëria me kushtetutë të përdhosur, me arrestime e persekutime politike.
Shqipëria 2024 është Shqipëria që shpopullohet dita ditës, rinia largohet, familjet që ndahen për së gjalli.Shqipëria 2024 është ajo e varfërisë, ku 46% e popullatës vuajnë për “bukën e gojës”, shtresat e varfëra janë të braktisura e përcmuara.
Shqipëria 2024 është ajo që nuk shërben sic duhet të sëmurët, e mungesës së theksuar të ilaceve, spitaleve, qendrave shëndetësore.Shqipëria 2024 është ajo e arsimit jo cilësor, e shkollave me dy turne, e universiteteve që diploma japin por punëmarrës të denjë nuk krijojnë.Shqipëria 2024 është ajo e politikave të urrejtjes ndaj fshatit dhe fermerit.
Shqipëria 2024 është ajo e korrupsionit galopant, abuzimit me pronën private dhe publike, është Shqipëria ku një grusht njerëzit nuk zbatojnë më parimet e ligjit por vetëm parimet “KCK të maliqit”.
I përulemi me nderim baballarëve të pavarësisë, por një gjë është e sigurt, kjo nuk është Shqipëria që ata imagjinuan, nuk është Shqipëria që ata dhanë edhe jetën për ta bërë të pavarur e të begatë.
Ndaj ngrihuni të bëjmë ndryshimin, ja detyrohemi kaq brezave të sotëm por edhe baballarëve të kombit, prej të cilëve gëzojmë sot lirinë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb