Është liruar nga burgu mjeku kardiolog Dervish Hasi, 10 muaj pas arrestimit. Ai ra në pranga më 18 janar të këtij viti pasi akuzohej për veprat penale “trafikim të të miturve” dhe “pornografi”. Avokati i Hasit ka bërë me dije se klienti i tij ka lënë qelinë para një jave, pasi sipas tij, është shpallur i pafajshëm për veprat penale për të cilat akuzohej.

“Nuk është liruar sot, është liruar para një jave. Mbaroj gjykimi dhe fitoi pafajësinë ai, është liruar, është deklaruar i pafajshëm. Tani nuk ka asnjë akuzë.

Nuk është e mitur ajo, unë e kisha thënë me kohë. Ishte një mashtrim, kishin bërë lojë kolegët, e morën në qafë dhe gazetarët lart e poshtë”, ka deklaruar Roland Islami, avokati i mjekut Dervish Hasi.

Mjeku kirurg ra në pranga për shfrytëzim prostitucioni dhe menjëherë pas ngjarjes u pezullua nga detyra në QSUT. Mjeku u denoncua se kishte lidhje me një 16-vjeçare të cilën e prezantonte si gruan e katërt.

42-vjeçari njihet nga të gjithë si një besimtar mysliman dhe në shtëpi kishte tre gra të tjera, ndërkohë, të miturën para njerëzve e prezantonte si gruan e tij të katërt. 16 vjeçarja herë pas here shkonte në shtëpinë e mjekut dhe dyshohej se ky i fundit kishte kryer edhe marrëdhënie seksuale me të.  Ndërsa përmes përgjimeve dhe komunikimeve që vajza e mitur ka kryer me 42-vjeçarin Hasi është zbuluar se ata kishin një grup chat-i në të cilin flisnin dhe ndanin video pornografike të gjithë bashkë më gratë e tjera të 42-vjeçarit.

Nga deklaratat e dhëna më herët nga familjarët e të miturës ata thanë se vajza e tyre ishte bindur nga Dervish Hasi dhe shkonte vetë te ai. Dyshohet se ai e kishte manipuluar me terma besimi, duke i premtuar se do te bëhej gruaja e tij e katërt.

Dervish Hasi nuk është një emër i panjohur për autoritetet shqiptare, pasi më herët ai është hetuar nga SPAK sepse dyshohej se ishte i përfshirë në grupin që furnizonte me tritol dhe armë snajper kriminelë brenda dhe jashtë vendit.

Në 22 janar 2019 mjekut iu hodh në erë makina të cilën e kishte të parkuar në rrugën “Belul Hatibi”. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:40. Policia sqaron se makina tip “Benz ML” me targa AA 441 OO, ishte në pronësi të Dervish Hasit, që në atë kohë ai punonte në një spitalin privat.

Në 2021 ai rezultoi të jetë pjesë e grupit të mjekëve që organizuan operacionin e parë në zemër në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” si qendër e dytë e kardiokirurgjisë të spitaleve publike. Ogerta Manastirliu e cila atëherë mbante postin e ministres së Shëndetësisë, tani të Arsimit, publikoi foto nga grupi i mjekëve që kishin marrë pjesë në operacion.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb