Gjashtë fitoret e deritanishme në kampionat Egnatia i ka të ndara në mënyrë të barabartë: tri në fushën e saj dhe tri në transfertë. Kanë qenë pikërisht ndeshjet shtëpiake ato ku kampionët në fuqi kanë lënë shumë pikë dhe pas javës së 14-të e shohin veten në vend të tretë, 3 pikë pas Partizanit kryesues dhe 2 pikë pas Vllaznisë së vendit të dytë.
Rrogozhinasit janë mundur në fushën e tyre nga një rival direkt si Partizani, por kanë lënë pikë të tjera edhe në përballjet me Teutën, Dinamon dhe Vllazninë, ku nuk kanë shkuar më shumë se barazimi. Në total bëhen 9 pikë të humbura në këto 4 ndeshje në shtëpi, megjithatë nuk ka vend për alarm, të paktën deri tani. Duket se skuadra e trajnerit Edlir Tetova e ka marrë pak shtruar këtë sezon, ku përfshirja në 4-shen e parë bën që situata të jetë e qetë dhe pa presion.
ELBASANI – Ekuilibri mes fitoreve brenda dhe atyre jashtë fushe mund të prishet këtë fundjavë, kur në Rrogozhinë do të vijë Elbasani “i plagosur” nga një ecuri jo e mirë në javët e fundit. Kundërshtari mund të ketë pak më shumë presion për rezultatin dhe kampionët, edhe pse me mungesa titullarësh, janë gati për të regjistruar fitoren numër 4 në “Egnatia Arena”, pas tyre me Laçin, Bylisin dhe Tiranën. Nuk luajnë të dielën për shkak kartonësh Ndreca dhe Fangaj, dy nga titullarët më të spikatur të Egnatias.