Në emisionin Vetting në News24 është trajtuar sot çështja e rindërtimit në Bashkinë e Vorës, një nga njësitë e prekura si pasojë e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019.

Qytetarët, edhe 5 vjet pas tërmetit, ose ndodhen në banesa me qira, ose në rastet e pamundësisë për të paguar, kanë gjetur si zgjidhje kontejnerët.

Por ka nga ata që jetojnë në kasolle, bashkë me familjarët e tyre, me shpresën se një ditë do t’u bëhet realitet premtimi për të pasur një banesë të re.

“Nuk kishim mundësi të paguanim qiranë dhe përfunduam në kontejner.

As një thes me miell për familje nuk na kanë sjellë, por dy shtëpi një thes. Një kasolle me dërrasa të na bëjnë”, shprehen banorë të Vorës, ndërsa luten që të kenë një banesë për të jetuar të lumtur vitet e jetës që u kanë mbetur.

Prej ditës kur panë t’iu shembej para syve gjithçka që kishin mundur të ndërtonin, mbetën të bllokuar në një kalvar dhimbjeje, pa mundur të rikuperojnë asgjë.

Në këtë kontejner të ftohtë, jetojnë katër pleq.  Bedrie Breti me bashkëshortin por edhe Naxhire Disha me bashkëshortin e saj.  Ata  ishin komshinj para se të shembej pallati ku banonin. Prej pesë vitesh jetojnë të detyruar si një familje e vetme. i kanë kaluar këtu 5 dimra e do ta kalojnë edhe dimrin e këtij viti, sepse nuk shpresojnë më që mund të kenë banesën e tyre.

Katër pleqtë janë të ngujuar në këtë hapësirë të ngushtë, vetëm 15 m2, të mbuluar nga një çati teneqeje që nuk i mbron as nga vapa as nga i ftohti.

“S’jemi duke jetuar 500 vjet.  Në kontejner jetojmë bashkë 2 familje, ishim komshi të dy atje, kemi ardhur këtu jemi bërë vëlla  e motër “, shprehet banorja , që dikur banonte në një pallat që është shembur.

Ajo nuk kishte mundësi të paguante qiranë, dhe bashkë me komshiun, përfunduan në kontejner.

Ata jetojnë në kushte shumë të vështira, në një ambient të vogël, 4 persona së bashku. “Me djalin tënd nuk mund të jetosh në këto kushte,  por nga halli e kemi shtuar me teneqe dhe çarçafë”, shprehet e moshuara

Në këtë kontejner ata ndajnë një realitet tragjik të mbushur me dhimbje, trishtim e pa shpresë. Madje ata ndjehen të denigruar.

“Kemi nxjerrë rreckat e këto dyshekët jashtë sepse na i ka lagur shiu, ka rënë shi i madh dy net më parë.

Unë fle këtu, burri atje.  Nuk kam fuqi të hipi atje lart te krevati.  Jemi si në kotec të pulave.

Vendi ku kemi vendosur kontejnerin nuk është i joni,  na i ka dhënë një koshmi për sevap sepse na shikonte katër pleq të vjetër.

Ai na i dha për 6 muaj deri në 1 vit.  Kanë kaluar 5 vite dhe na ka kërkuar që të dalim që këtu sepse do të bëjë punimet e veta, nuk e di.

E ka pronën e vetë. Presim të ndërtohet pallati, ashtu na thanë atëhere do të bëhet shpejt, do të bëhet shpejt”, shprehet banorja.

Banoret2
Banoret2

Por duket se çdo javë e muaj që kalon, i ka bërë këta banorë që të shikojnë se si shpresat për të pasur një banesë të re të veniten dhe premtimi i rindërtimit të kthehet në një fjalë boshe.

Pesë vjet nga tërmeti, banorët e  Marqinetit dhe Marikajt vazhdojnë të jetojnë në kushte të papranueshme.

“Nuk dua të ha as të pi, as të vesh asgjë, mua malli i shtëpisë më ka ikur komplet, dy shtëpia në majë të kodrës, dy atje poshtë.  Katër shtëpia kam ndërruar deri më sot.  Ai tjetri vjen dhe më thotë dil prej shtëpie, ku të shkoj unë pastaj? Lëre që ajo shtëpia është e dëmtuar nuk ke çfarë flet.  Është komplet uji, unë fëmijën e kam të sëmurë, vetëm për këtë se fëmijën e kam të sëmurë në shtëpi”, shprehet një tjetër banore

Ndërkohë që një tjetër banor shton se nuk po kërkojnë lëmoshë, por kërkojnë një banesë që edhe ata të jetojnë si njerëz.

Këta qytetarë në kontejnerët ku janë strehuar kanë kujtime, të gëzuara dhe të dhimbshme. Përtej kushteve të vështira ata kanë përjetuar ndjenjën e të bërit prind, ose të moshuarit kanë ndjerë se si janë bërë gjyshe apo gjysh, për herë të parë ose jo.

Banoret4
Banoret4

Dhe gjithashtu kanë përjetuar dasmat, por edhe hidhërimet. Dhe për rastet e dhimbshme, si ceremonitë mortore, ka pasur nga ata, që nuk kanë ditur ku e si ti hapin dyert e mortit.

“Rahmet past por atij i ka vdekur babai në shtëpi të huaj, i ka vdekur babai me dy metra vend. Nuk ka poshtërsi më të madhe sesa është bërë me fshatin Marqinet”, shprehet banori

Një banore sqaron se humbi bashkëshortin. “Burri më vdiq, nuk ka bërë akoma vitin akoma, dhe ne nuk kishim shtëpinë tonë, përse? Unë dua vetëm shtëpinë”, shprehet ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb