Qeveria premtoi se banorët që humbën shtëpitë si pasojë e tërmetit do të merrnin bonus qiraje, por prej dy vitesh ato nuk përfitojnë fondin.

Dhe në kushte të tilla, ata që duan të vijojnë të qëndrojnë në banesa me qira, duhet të përballojnë vetë kostot, ndërsa të tjerë që s’kanë mundësi strehohen në kasolle ose kontejnerë.

Të gjitha bashkitë e prekura nga tërmeti janë njoftuar nga Ministria e Financave se pas muajit mars 2023 se subvencionet e qirasë për këto familje do të financohen nga buxheti i bashkive, duke kërkuar që të marrin masat e mëtejshme për mbulimine  këtyre pagesave.

Pas tërmetit, pa banesa, pa mundësi ekonomike dhe me ndërprerjen e bonusit,  familjet vazhdojnë të mbeten në kufijtë e mbijetesës.

Alfred Kareci sqaron se pallati ishte ndërtuar rreth viteve 80, u ndërtua në atë kohë me punë vullnetare. Ai tregon se pas shembjes së pallatit, ka paguar qiranë e banesës me të ardhurat e tij.

Kareci ankohet për mikrofonin e News 24 në emisionin Vetting për diskriminimin që ata po provojnë. “Jam banor i fshatit Marqinet që nga viti 1980. Kam jetuar në këtë pallat me 17 familje të tjera. Tërmeti e dëmtoi plotësisht pallatin, ndërsa Bashkia futi fadromat. Specialistët që erdhën në pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 e nxorën të pabanuar pallatin. Ndërsa ne humbëm gjithçka dhe pritëm deri më tani sipas premtimeve që shteti do të vinte dorën në zemër,  si për të gjithë banorët e tjerë dhe do të ndërtonte nga e para pallatin. Kjo na është premtuar. Aktualisht jetojmë me qira dhe bonusi i qirasë na është ndërprerë. Nuk e dimë nëse do të marrim apo jo shtëpi. Askush aktualisht nuk na ofron një gjë konkrete por shprehen se nuk ka fonde”, shprehet ai.

Banori i rradhës shprehet se prej vitit 2019 ka jetuar me qira dhe ka ndërruar 4 banesa. “Ngela me dollap dhe krevat në krahë. As ato dërrasat nuk po mbajnë më, qiraxhiu më thotë largohu, dil përjashta. Tjetri thotë do të ngremë qiranë, është bërë e pajetueshme”, shprehet banori.

Zef Preçi, ekspert i ekonomisë dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, evidenton për “ Vetting” problemet që kanë dërguar në këtë situatë banorët e prekur nga tëmeti.

Zef Preci
Zef Preci

“Në këtë proçes normativ ka patur disa devijime nga fondet që ishin ofruar me bujari nga institucionet ndërkombëtare, qeveritë perëndimore dhe aleate. Pati devijime nga manualet, guidat, udhëzimet etj.  U devijuan fondet drejt kompanive të përzgjedhura paraprakisht për klientët e qeverisë, lobistëve dhe ndoshta drejt elementëve të krimit të organizuar siç janë denoncuar në shtyp kompani të lidhura me Ndragetën dhe të tjerë. Realisht ka patur rritje të kostos pasi ishte nënshkruar kontrata dhe është një proçes që ha shumë diskutim nga pikëpamja ligjore se si shteti vihet në shërbim të një grupi biznesesh duke u shtuar normat e fitimit atyre, i përjashton nga tatimet dhe taksat e të tjera në një kohë që kjo nuk ndodh tek të tjerët dhe nuk ka si të ndodhë. Ne jemi bashkëvuajtës në efektin që kanë krizat apo ndryshimi i kursit të këmbimit apo të tjera si këto”, thotë Zef Preçi.

Por çfarë mendon urbanisti Dr. Gent Kaprataj?

Kaprata
Kaprata

“Emergjenca ka një lidhje me mënyrën sesi ka zgjedhur ti qaset kjo qeverisje për t’iu shmangur një nga parimeve më të rëndësishme të një qeverisjeje të mirë,  e cila është përgjegjshmëria dhe transparenca në vendimarrje.

Kam bindjen që edhe pas 7-8 vitesh nga tërmeti do të kemi të njëjtën problematikë, ai do të harrohet, shumë familje do të ngelen fare pa shtëpi, kjo është qasja ime si ekspert. Të mos ndërtojmë asgjë, të blejë shteti me këto para që po vijnë nga jashtë, u premtuan rreth 1 miliardë nëse nuk gaboj por me çmim preferencial edhe ndërtuesit që kishin gabuar dhe koha po e tregon që kanë gabuar.  Kanë mall në magazinë por nuk kanë kujt tia shesin, cmimet janë tjetër gjë por ne nuk do të hyjmë tek ajo”, sqaron eksperti .

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb