Presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar se do të godasë Kievin me raketa Oreshnik, një armë me rreze të mesme veprimi që Moska e përdori kundër qytetit të Dnipro javën e kaluar dhe që Kremlini pretendon se nuk mund të rrëzohet nga asnjë sistem i mbrojtjes ajrore.
“Ne nuk e përjashtojmë përdorimin e Oreshnik kundër objekteve ushtarake, ushtarako-industriale apo qendrave vendimmarrëse, përfshirë ato në Kiev”, tha Putin në një konferencë shtypi në Kazakistan të enjten.
Ai tha se arma ishte “e krahasueshme në forcë me një sulm bërthamor” nëse përdoret disa herë në një vend, megjithëse ai shtoi se aktualisht nuk ishte e pajisur me koka bërthamore.
“Ndikimi kinetik është i fuqishëm, si një meteor që bie. Ne e dimë se çfarë meteorësh kanë rënë dhe cilat ishin pasojat”, tha Putin.
Moska ka thënë se kërcënimet e reja janë një përgjigje ndaj një vendimi në fillim të këtij muaji nga SHBA, Britania dhe Franca për të lejuar Ukrainën të lëshojë raketa me rreze të gjatë të ofruara prej tyre kundër objektivave ushtarake brenda Rusisë, diçka që Kievi e kishte kërkuar prej kohësh.
Kievi mbrohet më mirë se shumica e qyteteve të tjera të Ukrainës nga bateritë e mbrojtjes ajrore dhe ka pasur pak sulme të suksesshme në qendër të kryeqytetit gjatë pothuajse tre viteve të luftës. Mykhailo Podolyak, një këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, e përshkroi pretendimin e Putinit se sistemet e mbrojtjes ajrore nuk mund të rrëzonin raketat Oreshnik si “trillim”.
“Putini nuk i kupton gjërat ushtarake. Ai është një djalë që njerëzit vijnë dhe i tregojnë një karikaturë se si do të fluturojë raketa, se si askush nuk do të jetë në gjendje ta rrëzojë atë. Ai tha të njëjtën gjë shumë herë për raketën e tyre Kinzhal. Dhe më pas kur doli se Patriot [sistemet e mbrojtjes ajrore], madje edhe sistemet e gjeneratës jo të fundit, mund ta rrëzojnë me lehtësi, ai ndaloi së foluri për këtë, “tha Podolyak.
Podolyak tha se Oreshnik ishte thjesht një version i modifikuar lehtë i raketave balistike ndërkontinentale ruse.
Megjithatë, kërcënimet kanë shkaktuar alarm në Kiev, duke bërë që një seancë e parlamentit e planifikuar për të premten e kaluar të anulohet.
Mediat shtetërore ruse kanë shpallur triumfalisht Oreshnikun si një arritje të madhe dhe madje ka raportime për prindërit që u vënë fëmijëve të tyre emrin e raketës.
Putin u pyet nëse po fliste për goditjen e objektivave ushtarake apo politike në Kiev, dhe nëse ai kishte në plan t’i godiste ato me raketa Oreshnik, u përgjigj: “sot, gjatë kursit të ditës, gjithçka është e mundur”. Përgjigjia e Putin ngjan me një batutë sovjetike për parashikimin e motit.
Megjithëse kërcënimet e reja do të shkaktojnë shqetësim, shumë analistë besojnë se pas përdorimit të armës një herë si demonstrim, Putini nuk ka gjasa të përshkallëzojë më tej situatën përpara se Donald Trump të marrë detyrën në SHBA.
Putin e lavdëroi Trumpin si “inteligjent” dhe shtoi se ishte tronditur shumë nga atentati ndaj Trump gjatë fushatës.
“Për mendimin tim, ai nuk është i sigurt tani”, tha Putin, duke shtuar “për fat të keq, në historinë e Shteteve të Bashkuara kanë ndodhur incidente të ndryshme. Mendoj se ai [Trump] është inteligjent dhe shpresoj që të jetë i kujdesshëm dhe ta kuptojë këtë”.
Ai sugjeroi se vendimi i Joe Biden për të lejuar përdorimin e armëve me rreze të gjatë mund të jetë ose një dredhi për të ndihmuar Trumpin duke i dhënë atij një pazar në të ardhmen ose një përpjekje për të vështirësuar marrëdhëniet e Trump me Rusinë. Sido që të jetë, tha ai, Trump do të “gjente zgjidhjen” për luftën në Ukrainë dhe ai pretendoi se Moska ishte gati për dialog.
Herët në mëngjesin e së enjtes, Rusia shënjestroi përsëri Ukrainën me raketa dhe dronë, duke u fokusuar në infrastrukturën energjetike të vendit dhe duke lënë më shumë se 1 milion familje pa energji, sipas raporteve nga zyrtarët ukrainas.