Në Ercolano, Itali, është arrestuar 38-vjeçari Pasquale Punzo, i cili dyshohet të jetë një nga personat kryesorë përgjegjës për tragjedinë që ndodhi më 18 nëntor 2024 në një magazinë fishekzjarrësh. Në shpërthimin e fuqishëm të magazinës humbën jetën tre të rinj: 18-vjeçari shqiptar Samuel Tafçiu dhe dy motrat binjake, Sara dhe Aurora Esposito, 26 vjeçe, të cilët po punonin ilegalisht në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme.
Punzo është akuzuar për vrasje të shumëfishtë, prodhim dhe mbajtje të materialeve shpërthyese, si dhe shfrytëzim të punonjësve të papaguar. Hetimet, të drejtuara nga karabinierët e Ercolanos dhe të mbikëqyrura nga Prokuroria e Napolit, zbuluan prova të forta që e lidhin Punzon me ngjarjen, duke çuar në lëshimin e urdhrit të ndalimit. Gjykata e Napolit konfirmoi masën e paraburgimit për Punzon, i cili përballon akuza të rënda.
Shpërthimi në magazinën e fishekzjarrëve ka shkaktuar dëme të mëdha dhe ka lënë një gropë të thellë në vendin e ngjarjes. Aktualisht po kryhen autopsitë për të tre viktimat, të cilat janë transportuar në Spitalin e Dytë të Policlinikut të Napolit. Gjatë seancës së tij në gjykatë, Punzo ka refuzuar të përgjigjet ndaj pyetjeve, por ka dhënë disa deklarata spontane, duke mohuar çdo lidhje me ngjarjen.
Samuel Tafçiu, i cili kishte emigruar nga Shqipëria për të kërkuar mundësi më të mira jetese, jetonte në Ponticelli dhe kishte një vajzë të vogël 4 muajshe. Ai kishte punuar për tre muaj në magazinën e fishekzjarrëve, por nuk kishte marrë asnjë pagë. Samueli kishte arritur të siguronte punën përmes një shoku, dhe gjithashtu po kërkonte mundësi për të mbajtur familjen e tij. Vjehrra e tij, Anna Campagna, ka shprehur dhimbjen e saj për humbjen tragjike të të riut, duke thënë se ishte e papranueshme që një jetën 18-vjeçari të mbaronte në këtë mënyrë.
“Si mund ta humbësh një fëmijë në moshën 18 vjeçare? Samueli la pas gruan e tij 17-vjeçare dhe një fëmijë 4 muajsh. Ai punonte për të mbajtur familjen, por ende nuk kishte marrë pagën,” tha Anna mes lotësh. Ajo theksoi se fëmijët e saj jetojnë me të, dhe ajo është e detyruar të kujdeset për to, duke siguruar ushqim dhe pelena për vajzën e vogël.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vazhdim, dhe autoritetet po punojnë për të mbledhur prova të tjera për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave të këtij krimi tragjik.