Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, ka kujtuar sot ditën tragjike të një viti më parë, kur mësoi për aksidentin fatal që i mori jetën vajzës së tij, Eva Tavo.

“Sot, një vit më parë, Eva ime, e bukura Eva, shpirti i pastër i kësaj bote, ajo me zemër të madhe dhe plot dashuri për jetën dhe për njerëzit, shkoi te engjëjt. Na mungon aq shumë, Eva. Na mungon në çdo moment! Kujtimet e tua dhe dashuria jote e pafundme janë burimi ynë i forcës për të vazhduar përpara dhe për të shërbyer siç bëre ti. Ti ishe frymëzimi ynë, dashuria dhe vetë jeta”, shkruan Tavo.

Eva (Evanthia) Tavo humbi jetën më 28 nëntor 2023, pas një aksidenti tragjik rrugor në Maqedoninë e Veriut. Ajo po udhëtonte si pasagjere në një “Audi” që po kalonte autostradën “Nënë Tereza” nga Tetova për në Shkup. Automjeti doli nga rruga në fshatin Llaskarcë dhe Eva, 24 vjeçe, humbi jetën menjëherë nga plagët e marra. Ekipet mjekësore konfirmuan vdekjen e saj në vendngjarje.

Eva Tavo u nda nga jeta në kulmin e rinisë, duke lënë pas një dhimbje të thellë tek miqtë, familjarët dhe të gjithë ata që e njohën. Një vit pas humbjes së saj, dhimbja e familjes është akoma më e madhe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb