Media greke ka zbardhur detaje nga operacioni i parë i zhvilluar në Greqi lidhur me zbulimin e bisedave në aplikacionin “SKY ECC”. Në pranga kanë rënë një oficer grek i anti-drogës 42 vjeç, një shqiptar dhe një grek. Siç zbulojnë mediat greke, shqiptari për të cilin është lëshuar urdhër arresti është Sandër Pemaj 45 vjeç.

Ky i fundit ndodhet në burg në Greqi prej janarit 2020, i arrestuar në kuadër të një operacioni që çoi në sekuestrimin e 1 ton 181 kg kokainë në zonën e Astakos, e trafikuar me velierë nga ishujt Karaibe. Bashkë me Pemajn atëherë u arrestuan edhe Arbër Përdeda, Ergon Tusi, Erlin Zotaj, Lek Doda dhe Maksim Preçi.

Pemaj u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm ndërsa në shtator të këtij viti Gjykata e Apelit në Greqi ja uli dënimin në 15 vjet e 4 muaj.

Roli i oficerit grek
Komunikimet në platformën “Sky ECC” kanë zbuluar se oficeri 42-vjecar grek merrte financime mujore për të informuar dhe mbuluar veprimtarinë e paligjshme të rrjetit për të shmangur arrestimin e tyre. Ai gjithashtu ka tentuar të sigurojë në baza mujore dhe për llogari të një pale të tretë, sasi të mëdha droge, si dhe të përfshijë persona në rrethin e tij të kontakteve në veprimtarinë e paligjshme të rrjetit. Bëhet fjalë për një grup që kryente trafik marijuane dhe kokaine.

Kush është Sandër Pemaj
45-vjecari Sandër Pemaj konsiderohet një nga “kokat” e grupeve kriminale shqiptare në Greqi. Në shkurt 2010 ai u përfshi në një përplasje të armatosur me policinë greke bashkë me shqiptarin tjetër Marian Kola, i cili u arratis në 2013 nga burgu i Trikallas e më pas u vra nga policia greke në kufirin greko-shqiptar. Gjatë shkëmbimit të zjarrit në Virona në 2010, ku u hodhën edhe 5 granata, u vra aksidentalisht 25-vjecari shqiptar Nikolla Todi dhe u plagosën 2 policë. Pemaj dhe Kola u arrestuan pas ngjarjes. E ndërsa Kola u arratis e u vra, Pemaj u lirua pas disa vitesh nga burgu.
Pemaj ka precedentë penalë në Greqi prej vitit 2000, duke u arrestuar 5 herë për grabitje me armë, drogë e tentativë vrasje deri në 2010. Tre herë ai kishte thyer lejen që kishte marrë nga burgu. Në 2015, Pemaj u arrestua sërish si pjesë e një grupi kriminal që tregtonte heroinë, kokainë dhe marijuanë. Gjithsej u arrestuan 20 persona, mes të cilëve edhe një polic që i informonte për operacionet. Edhe kësaj radhe Pemaj u lirua shpejt, duke u arrestuar sërish në 2020 për trafikun e rreth 1.2 ton kokainë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb