Zbardhet mekanizmi i vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 13 nëntorit, në rrugën “Faik Konica”, në kryeqytet. News24 dhe BalkanWeb kanë siguruar pamjet e vendit nga u qëllua për vdekje ndërtuesi 52-vjeçar.

Sipas hetuesve vrasja është kryer nga shkallët e emergjencës, sepse ishte i vetmi vend nga ku autori kishte fushëpamje dhe vëzhgonte lëvizjet e shënjestrës së tij, të cilin e qëlloi për vdekje me një plumb në kokë në 50 metra distancë.

Ai është i identifikuar si Shkëlqim Dukaj oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit nr.2 në Tiranë dhe ndodhet prapë hekurave bashkë me të vëllanë, Florjan Dukaj, që dyshohet si bashkëpunëtor në vrasje.

Autori i dyshuar i ngjarjes ka zbritur shkallët e emergjencës dhe ka ndjekur një hotel që ndodhet mes godinës së hotelit dhe lokalit në pronësi të vëllezërve Dukaj.

Shfrytëzimi i tunelit ka bërë që autori dhe vëllai i tij të mos filmohen nga kamerat e sigurisë në zonë.

Hetimet kanë zbuluar se vëllezërit Duka e kanë vëzhguar për 6 ditë me radhë biznesmenin derisa e ekzekutuan. Shkëlqim Dukaj ka bërë edhe një tentativë tjetër për ta vrarë mbrëmjen e 8 nëntorit, por plumbi nuk e ka kapur Eduart Reçin.

Ai nuk ka ngritur dyshime, pasi në zonë janë hedhur fishekzjarre që të shmangej vëmendja nga zhurma në momentin kur do të qëllohej mbi Reçin.

Sipas prokurorisë vëllezërit Duka ishin në konflikt me biznesmenin për një pronë.

Policia dhe grupi hetimor kanë dokumentuar në detaje dinamikën e ngjarjes dhe gjatë kontrolleve në lokalin e vëllezërve Dukaj sekuestruan jelekë antiplumb, armë zjarri dhe pjesë e mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, por ende nuk është gjetur arma e përdorur në krim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb