Evis Ahmeti, autore e emisionit me Zemër të Hapur, duke folur në “Opinion” në News24 lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pak ditë më parë ku viktimë mbeti Martin Cani, ka dhënë detaje nga dëshmia e shoferit të furgonit që bën transportin e fëmijëve.
Ahmeti tha se kjo dëshmi është bërë pak orë pas ngjarjes së rëndë.
“Ditën e premte, shoferi i furgonit që bën transportin e fëmijëve, ka shkuar në ndërrimin e turneve, nga turni i parë në të dytë dhe ka parë që Martini, i cili nuk ishte pjesë e fëmijëve që bënin transportin me furgon, është konfliktuar me një të rritur.
Drejtuesi i furgonit ka shkuar në momentin e fundit të këtij sherri, por ka parë që një qytetar i Tiranës, me biçikletë, ka ndërhyrë në sherrin e Martinit me të rriturin, që mund të ishte 18, 19, 20 vjeç ose më i madh, nuk ia dimë moshën.
Në momentin që shoferi i furgonit ka marrë Martinin nga rruga Qemal Stafa deri në Sauk, atje ku ai banonte, 14-vjeçari vetëm shfrynte që konfliktuar me një të rritur”, tha Evis Ahmeti, referuar dëshmisë së drejtuesit të furgonit.
Në vijim autorja e emisionit “Me Zemër të Hapur” tha se duhen parë kamerat e sigurisë për të zbuluar se kush është personi i rritur që po konfliktohej me Martinin, kush është qytetari me biçikletë që ka ndërhyrë për ti ndarë. Ajo tha se dyshonte që kjo ngjarje e rëndë ka pasur më shumë se 1 autor.