Revista prestigjioze amerikane Variety i ka kushtuar një artikull filmit më të fundit të regjisorit Robert Budina, “Pikë Uji” i cili përfaqëson Shqipërinë në Oscar. Filmi që pushtoi kinematë e vendit disa javë më parë, parashtron në thelb krizën e shoqërisë të zhytur në korrupsion dhe krime.
Media amerikane shkruan se filmi i Budinës sjell një histori në frymën e #MeToo (një lëvizje sociale dhe fushatë ndërgjegjësimi kundër abuzimit seksual, ngacmimit seksual dhe kulturës së përdhunimit, në të cilën gratë publikojnë përvojat e tyre të abuzimit seksual ose ngacmimit seksual),që hedh dritë mbi realitetin se si djemtë e mirë shndërrohen në të dhunshëm, një histori e errët përdhunimi, në një turravrap drejt pushtetit pasurisë dhe benefiteve, një grua në karrierë, pjesë e një sistemi politik të kalbur në korrupsion, por edhe nënë e një adoleshenti, një mëngjes kupton se jeta e saj ndryshon befas dhe në mënyrë traumatike.
Djali i saj i vetëm akuzohet për përdhunimin e një të miture. A mund ta pranoje ajo këtë fakt? Çfarë e shtyn të kërkojë me dëshpërim rrugë shpëtimi për të birin, dhe si zhvillohet metamorfoza brenda saj, ndërsa përballet me të vërtetat e hidhura të një sistemit të korruptuar dhe me plagët e një shoqërie të rrënuar në vlera morale…
“Në një botë ku korrupsioni sundon, vetëm paraja – jo e vërteta, e aq më pak drejtësia – mbretëron. Burrat në filmin “Pikë Uji” të Robert Budinës e marrin këtë si parimin themelor të jetës së tyre. Është dogma e tyre, e vetmja mënyrë si e kuptojnë botën”, shkruan revista amerikane.
Artikulli i Variety
I realizuar nga Robert Budina, filmi që përfaqëson Shqipërinë në Oscar sjell një histori në frymën e #MeToo që zbulon se si djemtë e mirë shndërrohen në burra të dhunshëm. Në një botë ku korrupsioni sundon, vetëm paraja – jo e vërteta, e aq më pak drejtësia – mbretëron. Burrat në filmin “Pikë Uji” të Robert Budinës e marrin këtë si parimin themelor të jetës së tyre. Është dogma e tyre, e vetmja mënyrë si e kuptojnë botën.
Por drama në zemër të këtij filmi tërheqës shqiptar vjen nga personazhi kryesor, një drejtuese në bashki që e mendon veten mbi ligj, e cila zbulon hap pas hapi se si një sistem i tillë mbështetet në një mizogjini të fshehtë, nëse jo hapur të dhunshme – mizogjini nga e cila, ajo mendon se qëndron jashtë, ndërkohë që në të vërtetë është shembulli më i qartë i saj.
Aida (një Gresa Pallaska mbresëlënëse) është një grua me pushtet, një grua ku krenaria për privilegjet dhe fuqinë e saj e bën të pamundur të imagjinojë një botë ku nuk bëhet siç do ajo.
Në punë, është mësuar t’i magjepsë (dhe ndonjëherë t’i korruptojë) investitorët e huaj për të bërë çfarë do ajo, për të nënshkruar kontratat e shumta të ndërtimit që i lejojnë asaj dhe burrit të saj Ilirit (Arben Bajraktaraj) të bëjnë një jetë të pasur, pa shqetësime në qytetin e vogël që kanë bërë shtëpinë e tyre. Si një ndërmjetëse që mund të hyjë në çdo dhomë që i pëlqen – salla mbledhjesh, zyra policie, madje edhe në dhomën e gjumit – dhe të marrë çfarë do sipas kushteve të saj, Aida nuk është një prezencë e ngrohtë, por është e qartë se e ka shfrytëzuar (ose ndoshta edhe zhvilluar) këtë fasadë të fortë për të qenë kaq e suksesshme.
Një mëngjes, bota e Aidës përmbyset kur djali i saj adoleshent Marku (Paolo Iancu) arrestohet nga policia për përdhunimin e një vajze të re. Sipas dëshmisë, vajza është joshur për të shkuar në një vilë të marrë me qira në emrin e Markut, ku më pas është lidhur (me një thes në kokë) dhe është dhunuar vazhdimisht. E mësuar me botën e pazareve dhe marrëveshjeve, të rivaliteteve të vogla dhe aleancave të ndërtuara me kujdes, Aida mendon menjëherë se dikush po kurdis diçka: Me siguri dikush po përpiqet ta nxjerrë atë dhe Ilirin nga marrëveshja fitimprurëse që sapo kanë nënshkruar.
“Është thjesht një fëmijë. Si mundet një fëmijë të bëjë diçka kaq të tmerrshme?” pyet ajo veten. Asaj i duket më e lehtë ta shohë këtë situatë si pjesë të botës së korruptuar ku ajo lëviz me aq lehtësi.
Por ndërsa e vërteta fillon të dallë në shesh, dhe teksa burri i saj dhe burrat e pushtetshëm që ajo u kërkon ta ndihmojnë për të shfajësuar Markun, fillojnë ta mënjanojnë atë gjithnjë e më shumë nga vendimarrja, Aida detyrohet të pyesë veten se sa thellë është përfshirë ose sa thellë mund të lejojë veten të përfshihet nëse vendos të vërë djalin mbi gjithçka – edhe mbi vetë të vërtetën.
“Pikë Uji” na mban të lidhur ngushtë me Aidën. Instinkti i saj prej nëne për të mbrojtur Markun – edhe kur pikëllimi i tij ngjall një farë dyshimi brenda saj – vazhdon të përplaset me imazhin që ajo ka krijuar për veten në sytë e të tjerëve. Shpejt, ajo kupton se jeta që ka ndërtuar për vete dhe familjen e saj është në prag të shkatërrimit të plotë.
Filmi na tregon njëkohësisht se çfarë është e gatshme të bëjë Aida për të mbrojtur gjithçka që ka ndërtuar, si dhe na zbulon sistemin e korruptuar të një vendi post-komunist, ku pazaret e pista për ndërtime të reja bashkëjetojnë me mentalitetin e pandëshkueshmërisë. Djemtë si Marku dhe shoku i tij Denis e shohin veten si të paprekshëm thjesht sepse vijnë nga familje me pushtet. Edhe nuk dihet nëse Denis ishte në vilë atë natë fatkeqe, nëse ai e filmoi Markun duke sulmuar vajzën, apo nëse Marku po mbulon mikun e tij. Por ajo që është e qartë është: se këta të rinj besojnë se mund të bëjnë çfarë të duan pa pasur frikë nga pasojat.
Budina, i cili ka shkruar skenarin bashkë me Ajola Dajën dhe Doruntina Bashën, nuk e bën çështje kryesore të filmit: nëse Marku është fajtor apo i pafajshëm. “Pikë Uji” nuk është as një histori hetimi, as një dramë ku përplaset fjala e njërit me dike tjetër, megjithëse merr elementë nga të dyja. Filmi tregon se si vetë sistemi krijon kushtet që i lejojnë Markut dhe Denisit ta trajtojnë këtë ngjarje me qetësinë tipike të atyre, që e dinë se janë të mbrojtur.
“Pse nuk thërret policinë?” pyet Marku të atin në fillim. “A nuk i njeh të gjithë?” Dhe kështu, ndërsa filmi zbulon pak nga pak të vërtetën e asaj çfarë ndodhi në vilë, ai zbërthen ngadalë edhe personazhin kryesor, tragjedia e të cilit bëhet gjithnjë e më e pashmangshme. Pallaska është shtylla e filmit, interpretimi i saj përputhet me hutimin e fortë që krijon Budina, teksa Aida sheh se si po i shembet toka poshtë këmbëve – karriera, familja dhe shtëpia që ka ndërtuar.
“Pikë Uji” kombinon mjeshtërisht realizmin e thjeshtë me elemente më artistike stilistike – si në dialogje, ku na servir një legjendë për Liqenin e Ohrit gjatë një takimi pune, ashtu edhe në pamje, ku bisedat jashtë kuadrit shoqërohen nga pamje të filmuara nga lart të një peshku që skeletizohet në pjatë gjatë një dreke. Rezultati është një film mahnitës që të mban mërthyer dhe funksionon si një alegori moderne për korrupsionin, sundimin e burrave dhe pandëshkueshmërinë, duke zbërthyer me dhimbje dhe hijeshi raportet e ndërlikuara mes tyre – dhe duke na treguar kështu, se si disa vende dhe kultura të ndryshme nuk mund t’i shpëtojnë dot ndikimit helmues të këtyre elementëve, të cilët duke u përzierë mes vedi forcojnë njëra-tjetrën.
PRODHIMI: (Shqipëri, Itali, Rumani, Kosovë, Maqedoni e Veriut)
Një prodhim i Avanpost, Erafilm, Redibis Film, Iliria Film, Manufaktura Productions
Prodhues: Daniele Segre, Carmen Rizac, Sabina Kodra, Daniele de Cicco
Bashëprodhues: Luan Kryeziu, Sasho Pavlovski
EKIPI: Regjisor: Robert Budina, Skenari: Robert Budina, Doruntina Basha, Ajola Daja, Kamera: Marius Panduru, Montazhi: Enrico Giovannone, Muzika: Marius Leftarache
AKTORËT: Gresa Pallaska, Arben Bajraktaraj, Adem Karaga, Paolo Iancu, Henri Topi, Klodjana Keco, Gerhard Kolaneci
(BalkanWeb)