Bylisi arriti të triumfonte ndaj Vllaznisë me rezultatin 1-0, në duelin e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça”. Trajneri i ballshiotëve, Nevil Dede, u shpreh tepër i lumtur për 3 pikët e arkivuara, teksa në prononcimin e dhënë pas ndeshjes”, u shpreh:

“Ndonjëherë pikët janë të vlefshme dhe shijohen për lojtarët. Ishte një fitore me vuajtje. Nuk luajtëm aq mirë sa ndaj Egnatias, ishim disi më të qartë sot. Pavarësisht disa situatave të ndërlikuara. Duhet pranuar kualiteti i Vllaznisë, ishte një futboll nervash. Shpërdoruam shumë në tranzicion negativ. E meritojnë djemtë këtë fitoren, ky 3 pikësh, e hap garën, duhet të besojmë me shumë dhe më këto pikë duhet të rritemi nga ana psikologjike. Jemi përballur denjësisht me Egnatian dhe Vllazninë, dy ndër ekipet më në zë të Superiores.

Gjata ka qenë titullar edhe më përpara. Po vuante pak fizikisht, për shkak të problemeve të vogla. Berko pësoi një dëmtim ndaj Egnatias, nuk menduam ta rrezikonim. E kisha një parashikim si do të luante kundërshtari. Mendonim vetëm për topin e dytë jo për topin e parë. Komplimente mbrojtësve, sepse nuk gabuam dhe nuk falëm gola si në ndeshjen e kaluar.

Kamara është lojtar shumë i vlefshëm, ka cilësi dhe kualitet. Kamara dhe Peralta ishin çelësi i suksesit. Ja dolëm sot, por nuk kemi arritur akoma asgjë. Ishte një fitore shprese dhe vazhdimi. Mundëm Vllazninë, nuk mundëm një kundërshtar dosido.

Vllaznia është një nga skuadrat më të fortë të Superiores në goditjet standarte. Sot ishim të përqendruar dhe më efikasës.

Kam qenë në dilemë gjithë javës për skemën. Por duke pasur parasysh kualitetin e Balajt dhe lëvizjet prerëse të Malës, mendova të ishim në ekuilibër. Kjo zgjidhje më jep të drejtë edhe pse nuk ishim shumë të rrezikshëm në sulm.

Lumturia ime është që kënaqen këta lojtarë, duhet të kuptojnë kualitet që kanë. Kur fillon një cikël i ri, duhet t’i pranojmë edhe këto. Presidenca është koshiente për luahetjet, shpresoj të krijojmë stabilitet edhe në rezultate jo vetëm në lojë”, u shpreh Dede.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: