Nëntori është muaji i përgatitjes për shitje te duhanit. Edhe kultivuesi i vetëm, në Kurjan të Roskovecit, Novrus Kuka, i cili vijon pa ndërprerje traditën e kultivimit të kësaj kulture, është në fazën e paketimit duke shpresuar për një çmim të leverdisshëm.
66- vjeçari, kultivues prej 30 vitesh pohon se pavarësisht vështirësive të shumta, në vitin 2009 arriti të zgjerojë sipërfaqen e mbjellë me duhan deri në 9 ha, por dëmi kolosal i vitit 2014 , ku 60 ton duhan i mbeti pa shitur për shkak te falimentit te firmës greke me të cilën kishte lidhur kontratë, nuk e bëri të heq dorë nga prodhimi i tij.
Kuka tregon gjithashtu se nga viti në vit sipërfaqja ka ardhur duke u zvogëluar duke arritur në 2 ha. Sipas tij shkaku kryesor ka qenë mungesa e fuqisë punëtore teksa thekson se prodhimi i sivjetshëm arrin në 3- 4 tonë, ndërsa çmimi i shitjes është 5-6 mijë lekë për kilogramë sipas cilësisë.
Fermeri Kuka pohon gjithashtu se përgjatë gjithë viteve të kultivimit të duhanit, ndihma e shtetit ka munguar totalisht.
Roskoveci është një zonë e njohur për kultivimin e duhanit edhe gjatë sistemit të kaluar , ndërsa pas viteve 90- të , mori hov kultura e ullirit. Sipërfaqja e kultivuar me duhan në njësinë administrative Kurjan, para ndërrimit të sistemit arrinte në 200 ha.
Vetëm në Kurjan 80 ha, 60 ha në Ngjeqar, dhe nga 30 ha në Vlosh e Mbërs , ku prodhimi arrinte në 3000 kv në vit, i cilësisë maksimale, i cili shkonte i gjithi për eksport. Fermerë të tjerë në zonë kanë shfaqur interesin për këtë kulturë thotë Kuka, por kërkojnë siguri nga shteti për t’u krijuar ura lidhëse me firma serioze për ta rikthyer sërish këtë kulturë fitimprurëse në traditë.