Është një fakt, që kush po i jeton këto kohë e kupton fare mirë dhe qartë: pasi lidhet me anti-fashizmin. Një pjesë e së ashtuquajturës së Djathtë në vend dhe që dukshëm kanë mentalitetin e të Majtës së dikurshme e hedhin poshtë a priori. Përpjekja e turpshme për të mbuluar kolaboracionizmin, që çuditërisht tek ne konsiderohet si vlerë për disa; urrejtja “në masë” për anti-fashizmin duke e lidhur me komunizmin; zbehja e vlerave të fitores mbi fashizmin na zbret shumë e shumë shkallë poshtë vlerave, që mbajnë sot frymën e vendeve, që i vunë dërrmën fashizmit. Do të ishte një betejë e madhe në Konferencën e Paqes në vitin 1946, që Shqipëria, falë dhe presionit të delegacionit grek dhe të tjerëve, të mos binte në kampin e të mundurve dhe të privohej jo vetëm nga kërkesat e dëmshpërblimit të drejtë, por edhe nga narracioni, që një tufë vendesh i vendosën kësaj lufte. Shqipëria e vogël u gjend në krahun e tre superfuqive, që e mundën fashizmin. Duan apo nuk duan disa. Në rast të kundërt, jo pak gjasa kufiri i sotëm mund të ishte shumë më lart se ai ekzistuesi. Paçka se sot e kësaj kohe fqinjët tanë të Jugut nuk e respektojnë këtë verdikt dhe na shpalosin “Ligjin e Luftës”.
Gjithsesi, teza, e cila po merr qytetari mes studiuesve është ajo, e cila e dëshmon karakterin e dyfishtë që mori Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri nga shtatori 1943-nëntor 1944, atë të rezistencës nacionalçlirimtare por dhe të luftës/konfliktit civil, por kuptohet, që individë të ndryshëm e shtjellojnë sipas mënyrave të tyre dhe jo pak herë dhe nga prirjet politike. Siç ndodh zakonisht, kur nuk jemi dakord me veten, le t’u besojmë të huajve: Studiuesi britanik, Eric Hobsbawm, i cituar shpesh në studimet tona, argumentoi se qysh gjatë viteve ’30 dhe, sidomos në periudhën gjatë Luftës së Dytë Botërore në Evropë ngjarjet morën edhe karakterin e një lufte civile ndërkombëtare, duke na dhënë edhe një paradigmë se: “kundërshtitë midis forcave fashiste dhe antifashiste u bënë të brendshme në çdo shoqëri”.
Kurse, studiuesi francez Bernard Lory, duke analizuar Ballkanin gjatë Luftës së Dytë Botërore, arrin në konkluzionin për karakterin e katërfishtë të ngjarjeve në këtë rajon të Evropës: çlirimtar, fetar, etnik, civil. Me pak fjalë, më qartë se kaq nuk mund të thuhet. Një varg studiuesish të kësaj kohe, po hedhin dritë me mundësitë e tyre shumë qartë: Kasmi, Gurakuqi, Boçi, Kaba e shumë të tjerë, po shtjellojnë qartë prirjet në këtë luftë. Por pa u futur në ngërçet, që të imponon kjo kohë prej ndjeshmërisë, habia e madhe të mbetet për politikën. Sidomos asaj të Majtë.
Ndërsa Aleatët tanë më të mëdhenj, apo disa nga vendet perëndimore (me kontribute minore) mundohen të ngrenë edhe ato pak elementë të sforcuar antifashizmi, ne i fshehim. Ne i sfumojmë. Ndaj të bënte aq çudi, që Bashkia që bëri një aktivitet aq të mirë për 28 Nëntorin 2024 dhe që nuk lë rast pa shfrytëzuar për festime, ishte aq e vakët për 17 Nëntorin e Çlirimit të Tiranës dhe 80-vjetorin e Çlirimit të Atdheut.
Vërtetë nuk munguan kurorat te Varrezat e Dëshmorëve dhe krerët e lartë ndër to dhe incidentet e përvitshme të protagonizmit politik, por kjo datë dukshëm tashmë i komplekson të Majtët. Jo thjesht për kujdesin e mekur dhe kurimin sa për të thënë, por edhe në mungesën e përpjekjeve për t’i dhënë vendit një datë çlirimi të mirëpranuar, ashtu si mbi të gjitha edhe përbashkimin në këtë datë. Duan apo nuk duan, vetëm 3% e antifashistëve kanë qenë komunistë në LDB (Lufta e Dytë Botërore), ndërkohë që edhe shumë të ashtuquajtur individë që u atribuojmë termin nacionalistë kanë me çfarë të krenohen për Luftën.
Ashtu si të dy palët duhet të ulin kokën për vrasjet në luftë, bashkëpunimin e hapur me fashistët dhe tollovinë makabre në ditët, kur Shqipëria po zgjohej pa kuçedrën fashiste mbi kokë. Po për fat të keq, të Majtët e sotëm, që drejtohen nga Rama kanë kompleks me Luftën, e para për pozicionin që ata morën në 1944 dhe e dyta se kjo vlerë u bën hije dhe sot. Sa për njerëzit, që mëtojnë se janë të Djathtë, mund ta përdorin si pushim këtë ditë dhe të merren me qëmtimet e atyre kohëve, kur jo pak njerëz që i glorifikojnë iknin kokulur me pushtuesit.
(BalkanWeb)