Departamenti Amerikan i Shtetit ka dënuar ashpër sulmin e ndodhur më 29 nëntor ndaj kanalit të ujësjellësit të Ibër-Lepencit në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e hetimit dhe ndëshkimit të autorëve.
Përmes një deklarate në platformën X, zëdhënësi i DASH, Mattheë Miller, u shpreh:
“Ne dënojmë sulmin e 29 nëntorit ndaj infrastrukturës ujore në Kosovë. Do të mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar ata që janë përgjegjës dhe vlerësojmë të gjitha ofertat e mbështetjes për këtë çështje. Falënderime për punonjësit emergjentë dhe të tjerët, përfshirë KFOR-in, për rikthimin e furnizimeve esenciale”, ka shkruar Miller.
Edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte shprehur shqetësimin e madh të vendit të tij për situatën e sigurisë në veri të Kosovës pas shpërthimit të fundit në kanalin e Ibër-Lepencit, shkruajnë mediat e Kosovës.
Ky sulm është cilësuar si një akt i rëndë që cenon infrastrukturën kritike dhe sigurinë publike në Kosovë.
Institucionet vendore dhe ndërkombëtare janë angazhuar për hetimin e rastit dhe rivendosjen e furnizimit të rregullt me ujë, ndërsa KFOR-i ka luajtur një rol kyç në ndihmën emergjente.
Autoritetet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë po bashkëpunojnë ngushtë për të zbardhur rastin, duke e cilësuar këtë ngjarje si një sfidë ndaj stabilitetit dhe sigurisë në rajon.