Policia greke përmes Europol kërkon të gjurmojë rreth 1 milionë euro, pjesë e mbetur pa sekuestruar nga një grabitje e ndodhur në 26 shtator në zonën e Lavrios.

Më 26 shtator, 4 persona që udhëtonin me një automjet të vjedhur, kanë grabitur një furgon që transportonte vlera monetare jashtë një dyqani të madh lodrash në Lavrio. 3 prej grabitësve të maskuar e të veshur totalisht me të bardha, fillimisht çanë gomat e furgonit të blinduar. Më pas nën kërcënimin e armëve dhe të një eksplozivi, hodhën bojë në xhamin e parë të mjetit dhe kërcënuan punonjësit. Një prej personave që ndodhej brenda, ka hapur portën dhe grabitësit kanë arritur të marrin 1 milion e 185 mijë e 226 euro.

Pas dy muaj hetime, policia arriti të identifikojë dhe arrestojë autorët më 27 nëntor. Policia arrestoi 6 persona dhe sekuestroi rreth 211 mijë euro si dhe armë e sende që u përdorën në grabitje. Ata vepronin si grup i organizuar kriminal. Policia tha se të arrestuarit ishin shtetas grekë, por në mungesë të publikimit të identiteteve nuk dihet nëse kishin edhe kombësi tjetër.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Hetimi zbuloi se kreu i grupit kriminal, një 56-vjeçar, kishte precedentë të shumtë prej vitit 1993. Dy javë pas grabitjes ai rezulton të ketë udhëtuar drejt Shqipërisë. Pasi qëndroi 1 muaj në Shqipëri, ai u kthye në Athinë. Pas dy javësh qëndrimi në kryeqytetin grek, bashkë me një të afërm udhëtoi sërish drejt Parisit në Francë. Dhe i afërmi dyshohet se ka marrë pjesë në grabitje.

Duke qenë se nga shuma totale e grabitur mungojnë rreth 1 milion euro, policia greke ka kërkuar ndihmën e Europol për të hetuar lëvizjet e të dyshuarit në Shqipëri e Francë e nëse shuma e parave është transferuar pikërisht në këto dy vende.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb