Kërkohej fitorja me çdo kusht, por Juve ngec pikërisht atëherë kur më pak pritej, në transfertë përballë Lecce-s, për më tepër me një gol të pësuar në frymën e fundit. “Zonja e Vjetër” e ka të vështirë të konkurroj me ekipet e kreut, pasi për momentin e sheh veten minus 6 pikë në raport me Napolin. Sigurisht në këtë ecuri jo pozitive kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë mungesat e mëdha.

Ekipi i Thiago Motta-s ishte superior në pjesën e parë ku Weah dhe Conceicao iu afruar golit të avantazh, por fati nuk ishte me ta teksa topi u përplas në shtyllën pingule. Në fraksionin e dytë, Juve gjeti golin e avantazhit, ku një goditje e Cambiasos nga distanca gjeti devijimin duke përfunduar në rrjetë.

Juve e kishte të vështirë ta mbante ritmin, me kalimin e minutave filluan duke humbur terren, ndërsa Lecce e ngacmoi jo pak me disa zbritje të shpejta në sulm. Atëherë kur gjithçka po shkonte drejt fundit, në minutën e 93-të, Rebic i pa shqetësuar në zonë, e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë duke i rrëmbyer një pikë Juves pas barazimit 1-1.

Ylber Ramadani, mesfushori kuqezi qëndroi në fushë derri në minutën e 75-të, i vlerësuar nga mediat me notën 6-të. Në përfundim të ndeshjes, Thiago Motta nuk e fshehu zhgënjimin për pikën e lënë në këtë kushte, por i vetëdijshëm se ekipi i tij pësoi një rënie në fraksionin e dytë:

“Ishim mirë në pjesën e parë, por më pas ramë, Lecce doli në pah. Duhet të përmirësohemi, të mësojmë nga gabimet dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës”, u shpreh Motta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb