Disa incidente radhazi të qëllimshme janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Kumanovës. Një lokal, disa makina dhe si pasojë edhe një pjesë e një shtëpie janë përfshirë nga zjarret që dyshohet se janë vënë qëllimisht. I është vënë flaka zyrës për kontabilitet dhe përkthime gjyqësore përballë Gjykatës Themelore në Kumanovë.

E njëjta, sipas mediave, si subjekt rezulton në emrin e Fitor Jakupit, këshilltar në Kuvendin Komunal të Kumanovës.

Disa metra më lart përballë vendit të quajtur Garnizon i është vë flaka makinës së prokurorit, Xhelal Bajrami. Sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes dyshohet se zjarri i është vënë makinës përmes disa shisheve që nuk përjashtohet mundësia që të jenë koktej molotovi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Gjithashtu, makina është tentuar t’i digjet edhe një koloneli me inicialet E.D, por që është përfshirë vetëm pak nga flaka dhe pa pasoja. Ndërkohë një tjetër makinë e cila është djegur si rezultat i këtij akti, në flakë është përfshirë edhe një shtëpi fasada e të cilës mësohet se është djegur pjesërisht por që zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë.

Jo zyrtarisht mësohet se në asnjë prej vendeve ku është vënë zjarri nuk kanë punuar kamerat e sigurisë, pikërisht në momentet e zjarrvënies.

Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që të dyshuarit të kenë përdorur bllokues të kamerave, përkatësisht bllokues të internetit që ndërpret filmimet në kamerat e sigurisë. Prokurorët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa një pjesë e makinave të djegura janë konfiskuar si prova materiale për hetimet e mëtejme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb