Manchester United po merr dozën e injektuar nga Amorim. Tekniku portugez megjithëse ka vetëm pak ditë në krye të “Djajëve të Kuq”, po arrin të përçojë dalëngadalë idetë e tij të një futbolli sulmues e spektakolar. Të dielën United “tregoi dhëmbët”, teksa mposhti me lehtësi Evertonin me shifrat 4-0. Dy gola në çdo pjesë bënë që Amorim të shijonte suksesin e parë me United në kampionat. Rashford e Zikzee përsëritën njëri tjetrin në fraksionin e dytë, duke realizuar të dy nga një dopietë. Me këtë sukses United ngjitet në kuotën e 19 pikëve, në vendin e 9.

Formë fantastike ndërkohë po kalon Chelsea i Enzo Marescës, që mposhti pastër 3-0 në “Stamford Bridge” Aston Villën. “Blutë e Londrës” janë skuadra e momentit pas Liverpool në ishull, teksa viktima e radhës ishte Aston Villa. Jakson dhe Enzo Fernandez ishin autorët e golave në pjesën e parë. Miqtë e Unai Emery tentuan të riktheheshin në lojë, por vendasit arritën të mbroheshin mjaftë mirë. Për të mbyllur përfundimisht llogaritë mendoi Cole Palmer në minutën e 83, duke realizuar golin e 3 që fiksoi shifrat 3-0. Me këtë fitore Chelse parakalon Cityn dhe ngjitet në vendin e tretë me 25 pikë, aq sa ka edhe Arsenal i vendit të dytë.

Ndërkohë ngec Tottenham Hotspur, teksa të besuarit e Posteconglu nuk shkuan më shumë se sa barazimi 1-1 ndaj Fulham, në derbin londinez që nuk prodhoi fitues, por mbajti të mbërthyer publikun deri në fund. Të dy golat erdhën në fraksionin e dytë, teksa ishte fillimisht Brennan Johnson për vendasit që zhbllokoi shifrat në minutën e 54, por festa e Spurs nuk zgjati shumë, pasi pas 13 minutash Tom Cairney rivendosi barazpeshën. Miqtë luajtën minutat e fundit me 10 lojarë pas daljes nga loja me karton të kuq të autorit të golit skocezit Cairney, por gjërat nuk ndryshuan. Një pikë që nuk ndryshon shumë situatën në klasifikim me Tottenham që mbetet në vendin e 7 me 20 pikë, ndërsa Fulham në të 10 me 1 pikë më pak.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb