Fundjava që sapo u mbyll mund të cilësohet më shumë se pozitive për legjinarët kuqezi, teksa nuk munguan golat e realizuar kryesisht nga sulmuesit tanë si dhe paraqitjet shumë pozitive.

Mirlind Daku vijon të shënojë rregullisht me klubin e tij në kampionatin rus. Daku shënoi golin e radhës në në sfidën ndaj CSKA Moscow. Sulmuesi kuqezi zhbllokoi takimin në minutën e 43-të për skuadrën e Rubin Kazan, duke shënuar golin e tij të nëntë në kampionat.

Myrto Uzuni ishte sërish protagonist për skuadrën e Granadës. Sulmuesi kuqezi realizoi një tjetër gol të bukur në takimin ndaj Almerias, duke shkuar në kuotën e nëntë golave në La Liga 2, duke qenë i dyti në renditjen e përgjithshme të golashënuesve në këtë kampionat.

Anis Mehmeti po kalon një formë shumë të mirë me skuadrën e tij Bristol City. Në ndeshjen ndaj Plymouth, sulmuesi kuqezi realizoi dy gola dhe dha një asist në fitoren 4-0. Mehmeti u shpall lojtari i ndeshjes, i vlerësuar me notën 9.8 nga sajti i specializuar për statistika sofascore. Me këtë dopietë Mehmeti arriti shifrën e 6 realizimeve në Championshipin anglez.

Që Cristian Shpendi realizon gola me Çesenën në Serinë B, tashmë nuk përbën më asnjë lajm të i. 21 vjeçari shënoi golin e radhës në Serinë B italiane me skuadrën e Cesenas. Sulmuesi kuqezi u ndal fillimisht nga goditja e penalltisë nga portieri i Frosinones, megjithatë ai e dërgoi topin në rrjetë pas kthimit të tij. Ky ishte goli i katërt radhazi për Shpendin, i cili kryeson renditjen e golashënuesve me 10 gola, në Serinë B.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: