Barcelona ndjen “frymëmarrjen” e Real Madrid. Katalanasit po përjetojnë momentin më negativ deri tani që nga nisja e sezonit teksa numërojnë 3 javë radhazi në La Liga pa fitore. Fillimisht humbja ndaj Sociedad 1-0, më pas barazimi 2-2 ndaj Celta Vigos, me të besuarit e Hansi Flick që ishin në avantazh të dy golave dhe nuk arritën dot të administronin avantazhin. Megjithatë humbja më befasuese erdhi të shtunën teksa katalanasit në shtëpinë e tyre u befasuan nga Las Palmas me shifra 1-2.
Një moment jo për Barçën, që nën drejtimin e gjermanit Flick kishte bërë një start fantastik sezonit, megjithatë ulje ngritjet gjatë një sezoni mund të priten për cilëndo skuadër, ndaj do duhet që skuadra katalanase të rikthehet në shinat e duhura, duke filluar që nga sfida e së martës ndaj Mallorkës.
Kjo ka qenë edhe kryefjala e dy mediave më në zë, pranë klubit katalansas “Mundo Deportivo” dhe “Sport”, të cilat njëzëri presin kthesën sa i takon rezultateve të blaugranave që në sfidën ndaj Mallorkës së Vedat Muriqit. Flick duhet të gjej zgjidhje, në mënyrë që të ndryshojë diçka në formacion, por mbi të gjitha t’u ngrejë moralin të tijëve, pas 3 rezultateve negative radhazi.
Reali është aty me vetë 1 pikë më pak dhe me një ndeshje më shumë për të luajtur, ndaj koha nuk premton më. Barça duhet të reagojë dhe diçka të tillë do duhet ta bëjë që këtë mesjavë në të kundërt, “Los Blancos” do të jenë të gatshëm për t’i parakaluar.