Vrasjen e një dite më parë në Ndroq, kryetari i PD, Sali Berisha e lidh me një krim tronditës të ndodhur para disa vitesh. Gjatë konferencës për shtyp nga selia blu, Berisha ka deklaruar se vrasja e Alfred Dedjas, është bërë me porosi për të mbyllur çështjen e zhdukjes dhe vrasjes së Jan Prengës. Viktima për herë të fundit u filmua nga kamerat e kompleksit “Golden” në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit.
Berisha u shpreh se 50-vjeçari Alfred Dedja ishte dëshmitar i copëtimit të Jan Prengës, pasi në atë kohë ishte menaxher i “Golden”, duke shtuar se “ishte njeriu që dinte gjithçka”.
Por, Berisha theksoi se “për Jan Prengën u akuzuan kamarierët e Altin Hajrit”, duke shtuar se ky i fundit dërgoi kunatin e tij, Julian Gjoshi, për të kryer vrasjen.
“Çështja e dytë për të cilën jam sot para jush, dje mbasdite u ekzekutua publikisht në Ndroq dëshmitari i copëtimit të Jan Prengës, njeriut që dinte të gjitha. Ai, Dedja, kishte qenë menaxher i lokalit të Altin Hajrit.
Imagjinoni ju një moment, njeriu që e kishte liruar nga burgu këtë Julian Gjoshin, që kishte ngritur shtetin në këmbë për ta liruar, tani e urdhëron në një akt in-ekstremis, të vrasë në publik dëshmitarin e vetëm të mundshëm të copëtimit makabër të trupit të Jan Prengës.
E gjitha kjo një vepër shtetërore mafioze. Mafia me shtetin të bashkuar.
E gjitha kjo për të mbyllur aferën, sepse ju e dini se për Jan Prengën u akuzuan kamerierët e Altin Hajrit, kurse Altini është i lirë, Altini tani pastron oborrin dhe u detyrua në fund të nisë kunatin e tij të kryejë vrasjen publike. Vrasja mafioze e djeshme është dëshmi e funksionimit si një sipërmarrje e përbashkët e shtetit me krimin, e mafies me shtetin“, u shpreh Berisha.
Autor i dyshuar i ngjarjes së djeshme është Julian Gjoshi, 27 vjeç, kunati i Altin Hajrit. Ai qëlloi për vdekje 50-vjeçarin e njohur ndryshe me pseudonimin “Daku”, brenda një lokali në zonën e Ndroqit.
Gjoshi ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes me një makinë tip “Benz” dhe ende nuk është arrestuar nga policia. Automjeti i tij u gjet i braktisur te Shkëmbi i Kavajës.
(BalkanWeb)