Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugova, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.
Osmani përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se në historinë e Kosovës shkëlqen një emër që mishëron guximin, urtësinë dhe ëndrrën tonë për shtet të pavarur “Dr. Ibrahim Rugova, ati ynë themeltar dhe presidenti historik, i cili sot shënon 80 vjetorin e lindjes”.
Tutje ajo ka shkruar se me besim të pafund në paqen, dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë, presidenti Rugova hodhi themelet e një Kosove të pavarur, duke formësuar një trashëgimi të rrënjosur në mençurinë, durimin, qëndrueshnërinë dhe vullnetin e pathyeshëm të një kombi.
“Me urtësinë, me vizionin e një burrshtetasi dhe me shpirtin e një patrioti, presidenti Rugova na bashkoi në momentet tona më të vështira, duke frymëzuar brezat për të ecur në rrugën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Rrugë nga e cila asnjëherë nuk do të heqim dorë!
Falënderoj skulptorin Gëzim Muriqi që sot dhuroi skulpturën e Presidentit historik për Presidencën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Osmani.