I shoqëruar nga oficereët e policisë, pasi prej muajsh mbahet në arrest shtëpie, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako mbërriti në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë shpjegime në kuadër të hetimeve që po kryhen ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Cyrbja, ku ndër të tjera akuzohet për krim zgjedhor.
Nga hetimet e SPAK rezulton se njerëz të krimit të organizuar kanë ndikuar tek zyrtarë socialist në Durrës që emri i Jurgis Cyrbjas, të ishte në listë të sigurt të kandidatëve për deputetë të qarkut Durrës për zgjedhjet parlamentare të 2021.
Në komunikimet mes të shumëkërkuarit Altin Hajri dhe Jurgis Cyrbja si dhe mes ish-deputetit dhe Edmond Kocit, i ekzekutuar në 2021 përmendet dhe emri i Dakos. Për këtë arsye, ish-kryebashkiaku dha shpjegime para hetuesve për afro 40 minuta. Në dalje të SPAK ai tha se nuk mund të bënte asnjë koment.
Jurgis Cyrbja po hetohet nën masën e arrestit me burg për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të autorit të krimit si dhe nxerrrje të sekretit shtetëror, pasi dyshohet të ketë informuar të shumëkërkuarin Altin Hajri, i cili është në kërkim për rrembimin dhe zhdukjen e Jan Prengës si dhe pjesëtarët e klanit kriminal Farruku për aksionet e policisë.
(Balkanweb)