Deputeti i Bundestagut gjerman, Thomas Hacker, ka dënuar ashpër sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Ai e cilësoi këtë sulm si të ngjashëm me stilin rus dhe theksoi nevojën për një hetim të plotë për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit.
“Është turp që organizatori i agresionit në Banjskë, Milan Radoiçiç, vazhdon të shijojë lirinë e tij në Serbi”, shkroi Hacker në platformën sociale “X”.
Ai e krahasoi këtë sulm me veprimet e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se sulmi ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës kërkon vëmendje dhe informacion të plotë.
Pas incidentit, autoritetet në Kosovë dhe ambasadorët e QUINT-it reaguan menjëherë, duke dënuar sulmin dhe duke shprehur mbështetje për Kosovën.
Ata bënë thirrje për sjelljen e autorëve para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të hënën se vendi i tij dënon në nivelin më të lartë sulmin “e tmerrshëm” që është kryer në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok, dhe që ndonëse është herët të dihet fajtori, në këtë fazë “nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet”.