Qeveria franceze do të përballet me votëbesimin në Parlament, pasi partitë e majta dhe të djathta ekstreme paraqitën mocion mosbesimi.
Nëse mocioni miratohet nga deputetët në Asamblenë Kombëtare, Qeveria do të rrëzohet, duke detyruar Kryeministrin Michel Barnier të dorëhiqet pas vetëm dy muajsh e gjysmë.
Fronti i Ri Popullor (NFP), një koalicion i majtë, që përfshin nga socialistët te komunistët, kishte paralajmëruar se do të parashtronte një mocion ndaj qeverisë, nëse ajo paraqiste një buxhet shtrëngues të sigurimeve shoqërore.
Por pasi Barnier përdori klauzolën e diskutueshme kushtetuese “49.3”, Marine Le Pen e Partisë Kombëtare të ekstremit të djathtë (RN) rriti presionin ndaj qeverisë duke njoftuar se partia e saj po paraqiste një mocion të dytë mosbesimi.
Së bashku, NFP dhe RN kanë mjaftueshëm deputetë për të rrëzuar qeverinë – hera e parë që një qeveri franceze po tentohet të rrëzohet në një mënyrë të tillë që nga viti 1962.
Në një përpjekje për të shmangur një krizë, Barnier kishte bërë lëshime në minutën e fundit për RN. Pasi foli me Le Pen, Barnier tha të hënën se nuk do të kishte asnjë ndryshim në rimbursimet e barnave në vitin 2025, në kundërshtim me planet origjinale.
Duke iu drejtuar dhomës së ulët, Barnier tha se ishte konsultuar me të gjitha grupet parlamentare, por kufizimet e shumta mbi vendin kërkonin një reduktim të deficitit publik.
“Unë e respektoj kulturën e kompromisit”, tha ai.
Ai u tha deputetëve se ata u përballën me “një moment të së vërtetës”. “Kjo do të thotë që të gjithë përballen me përgjegjësitë e tyre. Francezët nuk do t’ju falin nëse mbështesni interesa të veçanta politike mbi të ardhmen e kombit”, shtoi Barnier, duke apeluar që të gjithë duhet të marrin përgjegjësinë për veprimet e tyre”.
Le Pen, kreu i grupit parlamentar të RN, akuzoi Barnier, i cili u emërua kryeministër nga Presidenti Emmanuel Macron në shtator, se nuk e mbajti premtimin e tij për të dëgjuar grupet politike që kundërshtojnë projektligjin e buxhetit.
“Ai iu drejtua RN një javë më parë dhe ne përsëritëm vijat tona të kuqe. Ne nuk i kemi hequr këto vija të kuqe. Është e padrejtë që populli francez të paguajë pasojat e paaftësisë së Emmanuel Macron gjatë 7 viteve të fundit. Nuk është e mundur të ndëshkohen francezët për atë që ata nuk janë përgjegjës, por drejtuesit e tyre”, tha ajo.
Mathilde Panot, një deputete e partisë së majtë, Unbowed France (LFI) tha për mocionin e mosbesimit se “ne mund të rrëzojmë zotin Barnier dhe këtë buxhet”. Ajo i përshkroi diskutimet e minutës së fundit të qeverisë me të djathtën ekstreme si “pazare” dhe tha se “të gjitha janë një mashtrim”.
Ajo fajësoi Macronin për zhytjen e vendit në kaos.