Marash Logu, këshilltar ligjor në PD, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 foli edhe për burgosjen e liderit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Logu tha se prangosja e Metës krijon pabarazi mes palëve përpara zgjedhjeve. Ai tha më tej se PD kritikon institucionet e drejtësisë, njësoj siç bën edhe me qeverinë, me qëllim që kritikat të shërbejnë për përmirësimin e institucionit.

“Ne si PD jemi shprehur se arrestimi i Metës ka qenë i paligjshëm. Arrestimi i Metës në prag të fushatës elektorale krijon pabarazi në zgjedhje. Partia e Lirisë nuk mund të funksionojë njësoj sikur Meta të ishte i lirë. Detyra e PD është që të denoncojë qoftë në publik ose në institucione ato që ne quajmë korrupsion ose paligjshmëri.

Ne si PD kemi thënë se siç mund të kritikohet qeveria, mund të kritikohet edhe gjyqësori. Institucionet e drejtësisë kanë një sfidë të madhe që të bindin së pari qytetarët që janë të pavarur dhe nuk i binden politikës, përveç ligjeve. Kritikat kur janë objektive, i shërbejnë institucionit të përmirësohet”, deklaroi Logu.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb