Më shumë se 500 njerëz janë vrarë në luftimet në Sirinë veriore që shpërthyen pas një sulmi rrufe nga grupet rebele të nisur të mërkurën e kaluar, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut në raportin e tij të fundit.

Konkretisht janë vrarë 514 persona, mes tyre 92 civilë.

Midis të vdekurve, 268 janë luftëtarë të grupit islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) dhe grupeve rebele aleate, 154 ushtarë dhe luftëtarë pro-qeveritare dhe 92 civilë, tha OJQ.

Të paktën gjashtë të vdekur nga bombardimet në Hama

Më herët sot u njoftua se 6 persona u vranë kur rebelët islamikë kundër regjimit bombarduan qytetin Hama të kontrolluar nga qeveria siriane, njoftoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. Televizioni shtetëror sirian, nga ana e tij, raportoi se tre persona, përfshirë një grua, u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në përleshjet në Hama, ndërsa forcat e regjimit përpiqen të largojnë rebelët nga Aleppo.

Sipas Observatorit, grupi ekstremist islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) dhe aleatët e tij “përdorën raketahedhës për herë të parë për të bombarduar rrethet e qytetit të Hama”.

Agjencia zyrtare siriane e lajmeve SANA raportoi gjithashtu se mbrojtja ajrore siriane kapi “disa dronë armik” mbi qytetin e Homsit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë nesër një mbledhje urgjente për të diskutuar situatën në Siri me kërkesë të qeverisë siriane, tre vendeve afrikane dhe Guajanës.

Më herët gjatë ditës së sotme, presidenti sirian, Bashar al-Assad, denoncoi një përpjekje për të “rivizuar” kufijtë në Lindjen e Mesme. Për herë të parë që nga viti 2011, regjimi i Asadit javën e kaluar humbi kontrollin e Alepos, qyteti i dytë më i madh i vendit. Avionët luftarakë sirianë dhe rusë bombarduan zonat e kontrolluara nga rebelët në provincat Idlib dhe Aleppo, duke vrarë 15 civilë, përfshirë fëmijë. Në Idlib, organizata vullnetare e shpëtimit “Helmetat e Bardha” raportoi se tre persona u vranë nga sulmet ajrore ruse. Dy nga tre vdiqën kur makineritë ndaluan së punuari në njësinë e kujdesit intensiv ku u intubuan.

Pamjet e AFP treguan rebelë të armatosur që patrullojnë rrugët e Aleppos, pranë kështjellës historike të qytetit dhe aeroportit ndërkombëtar. Disa pozuan para një tanku të braktisur, të tjerë grisën flamujt sirianë dhe portretet e Asadit. Edhe pse shumica e rrugëve ishin të shkreta, disa sirianë dolën për të përshëndetur rebelët.

Rebelët kapën ndërtesat qeveritare, burgjet, aeroportin ndërkombëtar dhe një aeroport ushtarak, “pa hasur në rezistencë të konsiderueshme”, sipas Observatorit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb