Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se rimarrja e pjesëve të territorit ukrainas mund të arrihet me mjete diplomatike dhe jo me forcë ushtarake.

Në një intervistë me agjencinë japoneze të lajmeve, Kyodo News, Zelensky ka deklaruar se është e vështirë  për të rimarrë me forcë disa nga pjesët e pushtuara ruse të vendit të tij, duke përfshirë gadishullin e Krimesë që Rusia aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.

“Ushtrisë sonë i mungon forca për ta bërë këtë. Kjo është e vërtetë. Ne duhet të gjejmë zgjidhje diplomatike”, ka thënë Zelensky.

Ai ka theksuar se hapa të tillë mund të konsiderohen “vetëm kur e dimë se jemi mjaft të fortë” për të parandaluar Rusinë të nisë një agresion të ri kundër Ukrainës.

Komentet e Zelenskyt tregojnë një zhvendosje nga qëndrimi i tij i mbajtur prej kohësh se vendi i tij do të luftojë për të rimarrë të gjithë territorin e kapur nga Rusia.

Zelensky i ka bërë thirrje administratës në largim Biden që të ndihmojë në bindjen e anëtarëve të NATO-s që të ftojnë Ukrainën për t’u bashkuar me aleancën, teksa Rusia vazhdon të bëjë fitime në fushën e betejës. Ai ka thënë se konflikti ka hyrë në një “periudhë të komplikuar”.

Në tetor, ai zbuloi një të ashtuquajtur plan fitoreje, i cili përmban një hap që disa aleatë të rëndësishëm perëndimorë kanë refuzuar deri më tani ta pranojnë: të ftuarit e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n përpara përfundimit të luftës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb